Me thirrje “mos me bë pazare me tokat e të parëve” dhe paralajmërime se nuk do ta lejojnë në asnjë mënyrë, banorët e Kçiqit të Madh kanë kundërshtuar dhënien në shfrytëzim të një parcele prej 99 hektarësh, para nisjes së seancës së Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Jugut.
Ata kanë thënë se përvoja e mëparshme me gurthyesin në këtë zonë ka lënë dëme në rrugë, shtëpi dhe burime të ujit, ndërsa debati për parcelën ka nxitur përplasje verbale mes banorëve, asamblistëve dhe kryetarit të komunës, Faton Peci.
Banori i Kçiqit të Madh, Fahrush Ibrahimi, tha se banorët nuk do të lejojnë që tokat e tyre të përdoren për një gurthyes.
Kjo, qoftë edhe me jetë.
“Sot jemi dalë me kundërshtu pikën e dhënies së gurthyesit 99 hektarë, nuk do të lejojmë kurrë të bëjnë pazare me tokat tona, nuk do të lejojmë të bëjnë pazare me arat tona, fushat tona, kullosat tona, do ta kundërshtojmë 100 për qind, nuk ka pazare me toka tona të stërgjyshërve, baballarëve. Si fshat me 10 mijë banorë do të derdhet gjaku e nuk do ta lejojmë kurrë me u kry ajo punë. Nuk na ka pranuar, kemi tentuar disa herë edhe kështu jemi kundër kësaj, nuk kalon kjo pike”- tha Ibrahimi
Ndërsa, banori tjetër, Islam Aliu, tha se gurthyesi që ka funksionuar më herët në këtë zonë, ka shkaktuar dëme në burimet e ujit, shtëpi dhe rrugë.
“Pa kënaqësia jonë është për gurthyesin që po dojnë me ia dhënë lejen, para 5 viteve e kemi ndërprerë e këta prapë e kanë qitë, dmth në rend të ditës sot për me votu për me ia dhënë një tjetri operatorit, jo atij të mëparshmit, por tjetri. Ky gurthyes na ka bo dëme të jashtëzakonshme, dmth burime të ujit, janë qarë shtëpiat, rruga 3 kilometra është dëmtuar. Ky fshat, siç e dini, është njëri ndër fshatrat më të mëdhenj në Kosovë, kryetari ka premtuar për zhvillime e jo për shkatërrime edhe me asnjë kusht banorët e fshatit nuk kena me leju me ndodhë, sepse ne duhet vetëm të zhvendosemi prej fshatit, përndryshe për ne nuk ka jetë në atë vend”- ka thënë Aliu
Edhe asamblisti i PDK-së, Valon Brahimi, gjatë seancës së Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Jugut, ka kundërshtuar dhënien në shfrytëzim të parcelës prej 99 hektarësh në Kçiq të Madh, duke thënë se banorët kanë përvojë të hidhur me gurthyesin që ka operuar më herët në këtë zonë.
Ai ka paralajmëruar se miratimi i kësaj pike mund të sjellë pasoja juridike për komunën, ndërsa për banorët e Kçiqit, sipas tij, mund të ketë pasoja në mjedis dhe në jetën e tyre. Ai ka kërkuar që çështja të trajtohet përtej përkatësive politike.
“Edhe nëse potencialisht po supozojmë që kalon në Kuvend, duhet me pasë parasysh qeveria komunale dhe asambleja se në praktikë ka me qenë i parealizueshëm. Pasojat kanë me qenë të paparashikueshme, jo vendime që mund të shfuqizohen kurdo që ne na u teket, sepse pasojnë pasojat juridike. Dy gjëra janë këtu, ose dëmtohet komuna ose Kçiqi. Komuna dëmtohet nëse merr vendim sot e në të ardhme shfuqizohet vendimi, se pastaj do të përballet me procese gjyqësore, ndërkaq Kçiqi dëmtohet nëse sot Kuvendi Komunal merr vendim edhe kundër fakteve. Unë i bëj thirrje te çdo anëtar i asamblesë komunale pa dallim, sepse çështja është përtej çdo bindje politike, prek banorët, dmth çështja i kalon kornizat politike, është çështje mjedisi, është çështje jete edhe çështje e fatit të banorëve”- tha ai
Por, Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, i është kundërpërgjigjur Brahimit, duke e akuzuar për mospërputhje mes qëndrimit të tij aktual dhe dokumenteve komunale për hapësirën në Kçiq.
Peci ka përmendur edhe fanelën “Lira ka Emër”, të cilën Brahimi e mbante gjatë seancës, duke thënë se në rastin e tij “hipokrizia ka emër”.
“E dëgjova me shumë vëmendje dhe kujdes z. Brahimi, edhe mes të tjerave se si i numëroj krejt dëmet, se si ky gurthyes në të kaluarën për 20 vite i ka shkaktuar komunitetit dhe fshatit Kçiq. Edhe për ironinë e kohës, ky ka qenë hiq më pak drejtor i Inspeksionit për një mandat, ndërsa nuk ka ngritë kurrë asnjë çështje, nëse ka konstatime që ka pasur dëme në familje, dëme që janë shkaktuar edhe në pikë e rrjedhjes së ujit e një mori dëmesh të tjera. Pyetja e thjeshtë dhe logjike që duhet me u shtru është: ‘Kush deri sot vë para përgjegjësie ose a është marrë dikush me intervistim për të gjitha këto dëme kolosale që i paska shkaktuar komunës së Mitrovicës?’ E para. E dimë edhe qysh funksionojnë organet tjera, e dimë edhe kush ndikon, krejt i dimë, në Kosovë jetojmë. Por sidoqoftë, po më pëlqen se në seancën e fundit asamblistët i kanë dhënë përkrahje procesit ose dënimet të udhëheqësve të UÇK-së, dhe ti po e mban edhe maicën ‘Lira ka Emër’, por megjithatë unë këtu e kam një dokument të hartuar në vitin 2023, në të cilin shkruan Projekt Harta Zonale e Komunës së Mitrovicës së Jugut 2023/2031, e këtu është Plani Zhvillimor i qytetit, komunës së Mitrovicës. Anëtarët që e kanë dedikuar atë hapësirë në Kçiq, a e din kush janë? Numër një është Bedri Hamza, Arian Tahiri, Nexhmi Hasani, Edison Tërnava, Fahri Shaban, Drita Kadriu, Igballe Islami, Gëzim Stavileci, Granit Tmava, Ferdi Kadriu, numër 12, a e din çfarë emri mban? Valon Brahimi. Dokumenti zyrtar i administratës që kështu ti mbaje atje maicën ‘Lira ka Emër’, por edhe ‘Hipokrizia ka Emër’, hipokrizia e ka emrin Valon Brahimi”, tha Peci.
Peci ka thënë se dhënia në shfrytëzim e parcelës është vetëm hapi i parë i procedurës dhe se çdo projekt që mund të propozohet për atë hapësirë do t’u nënshtrohet procedurave të mëtejshme dhe pajisjes me licencat përkatëse.
Më pas ka vazhduar përplasja midis tyre se kush ka pushtet mbi kë.
“Peci: “A je kryetari ti?”
Valoni: “Unë jam asamblist.”
Peci: “E unë jam kryetar?”
Valoni: “Unë jam asamblist, ti i jep llogari Kuvendit.”
Peci: “Unë i jap llogari qytetarit”, tha Peci”.
Seanca e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Jugut, në të cilën po diskutohet edhe pika për dhënien në shfrytëzim të parcelës prej 99 hektarësh në Kçiq të Madh, është shtyrë për në orën 14:00.







