Sipas kryetarëve të komunave që udhëhiqen nga Aleanca, shumë projekte kanë mbetur në gjysmë dhe qytetarët po përballen me vështirësi të ndryshme si pasojë e mungesës mbështetjes nga niveli qendror. Kjo parti ka vendosur të krijojë forumin e kryetarëve të komunave, si mekanizëm për adresimin e problemeve të këtyre komunave në raport me qeverinë.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se janë të shqetësuar, sipas tij, me mosveprimin e qeverisë karshi problemeve bazike me të cilat po përballen qytetarët.
“Qeveria jonë po i grumbullon paratë në arkën e shtetit por nuk po i nxjerr ato në qarkullim, nuk po i kthen apo në ekonomi që është shqetësim për Kosovën. Këto dhe shumë probleme të tjera kanë ndikim direkt edhe në komuna ku qeveria ka kohë që nuk është duke u treguar bashkëpunuese por edhe jo e përgjegjshme në raport me komunat. Ka pasur vonesa të jashtëzakonshme në ndarjen e buxhetit për komunat, ka probleme serioze me kontratat për kryerjen e punëve të ndryshme nëpër komuna e qe nuk janë rishikuar pas rritjes së çmimeve dhe inflacionit të lartë. Për këto arsye dhe shumë të tjera, Aleanca ka vendosur të krijojë forumin e kryetarëve të komunave si një mekanizëm të adresimit të problemeve dhe të temave të qeverisjes në nivel komunal në raport me qeverinë qendrore”, ka thënë Haradinaj.
Ish-kryeministri i Kosovës ka thënë se AAK është e shqetësuar se Kosova mund të shkojë në kolaps për shkak të krizës energjetike që sipas tij është afër.
Ai ka thënë se qeveria nuk ka një plan për këtë problem dhe as veprime për t’u përballur me rritjen e inflacionit.
Për adresimin e krejt këtyre problemeve, Haradinaj ka thënë se do të angazhohet forumi në krye të së cilit është vendosur kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini ndërsa ka bërë të dituar se udhëheqja do të bëhet me rotacion nga kryetarët e komunave.
“Kërkojmë ta kemi një qeveri e cila e kupton që problemet e qytetarëve nisin në pjesën dërrmuese të të gjitha llojeve dhe përfundon në komunë, dhe mos koordinimi në mes të komunave dhe qeverisë nacionale ju shkakton probleme serioze qytetarëve tanë, jo vetëm neve që udhëhiqen por ajo reflektohet detyrimisht edhe të qytetarët… Nëse ka zbrasëti në komunikim në mes të komunave dhe qeverisë, pasojat i bartin qytetarët dhe unë nuk shoh kurrfarë arsye që qeveria nacionale, të gjitha ministritë veç e veç mos të komunikojnë me komunat, duhet të komunikojnë”, ka thënë kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini.
Kryetarët e komunave që drejtohen nga Aleanca kanë theksuar disa probleme me të cilat po përballen, që sipas tyre, janë si pasojë e mungesës së bashkëpunimit nga niveli qendror.
“Kemi probleme konkrete të cilat lidhen me pjesën e investimeve në zonën ekonomike e themeluar qysh në vitin 2018 dhe nuk ka investime sipas planit të përcaktuar me Ministrinë e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, kemi probleme, kërkojmë rikthimin e sheshit qendror, i vetmi qytet që nuk ka një shesh qendror, ka qenë një memorandum që është anuluar në mënyrë të njëanshme”, ka thënë kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi.
Komunikim me nivelin qendror kanë kërkuar edhe kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, ai i Suharekës, Bali Muharremaj dhe kryetari i Klinës nga radhët e AAK-së. Zenun Elezaj./Kp