Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka përkujtuar rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, në trevjetorin e vrasjes së tij gjatë sulmit terrorist në Banjskë.
Përmes një postimi, Sveçla ka thënë se Kosova, më 24 shtator 2023, u përball me, siç e cilëson ai, “sulmin terrorist më të madh në Kosovën e pasluftës”. Sipas ministrit, sulmi ishte organizuar dhe mbështetur nga aparati shtetëror i Serbisë.
“Tre vite më parë, Republika jonë u përball me sulmin terrorist më të madh në Kosovën e pasluftës, të organizuar dhe të mbështetur në të gjitha aspektet nga aparati shtetëror i Serbisë. Në mbrojtje të ligjshmërisë, kushtetutshmërisë dhe sigurisë së qytetarëve tanë, atë ditë ra në krye të detyrës Rreshteri Afrim Bunjaku”, ka shkruar Sveçla.
Ai ka vlerësuar veprimet e Policisë së Kosovës gjatë përballjes me grupin e armatosur, duke theksuar se institucionet e Kosovës, sipas tij, mbrojtën territorin, qytetarët dhe rendin kushtetues.
Megjithatë, Sveçla ka thënë se procesi i drejtësisë për vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku ende nuk është përmbyllur.
“Drejtësia për vrasjen e Heroit Afrim Bunjaku mbetet e paplotë deri në arrestimin dhe përballjen me drejtësinë të të gjithë terroristëve, në krye të të cilëve qëndron Milan Radoiçiq”, ka shkruar ministri.
Në trevjetorin e sulmit, Sveçla ka thënë se sakrifica e rreshterit Bunjaku do të mbetet pjesë e kujtesës së qytetarëve të Kosovës.
“Përulemi me respekt të thellë para sakrificës së tij, e cila do të mbetet përgjithmonë pjesë e kujtesës sonë kolektive dhe udhërrëfyes për brezat e rinj të Republikës sonë”, ka shkruar Sveçla.
Rreshteri Afrim Bunjaku u vra më 24 shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit, gjatë përballjes së Policisë së Kosovës me një grup të armatosur.







