Sot bëhen tre vjet nga sulmi terrorist në Banjskë, i cili ndodhi më 24 shtator 2023, kur një grup i armatosur nga Serbia sulmoi Policinë e Kosovës në veri të vendit.
Në përleshjen me grupin e armatosur, rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra në krye të detyrës, ndërsa disa policë të tjerë u plagosën.
Zyrtarë shtetërorë të Republikës së Kosovës e kanë cilësuar sulmin si akt agresioni të Serbisë ndaj Kosovës.
Përgjegjësinë për organizimin e sulmit e mori, përmes avokatit të tij, Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe. Ai vazhdon të jetë i lirë në Serbi.
Më 11 shtator 2024, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë ndaj Milan Radoiçiqit dhe 44 personave të tjerë, lidhur me sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit.
Sipas aktakuzës, shumica e të pandehurve ngarkohen me veprat penale të terrorizmit, si dhe me krime të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.
Radoiçiq akuzohet gjithashtu për lehtësimin dhe financimin e kryerjes së terrorizmit dhe pastrimin e parave.
Sipas aktakuzës, grupi i armatosur, përmes përdorimit të dhunës dhe armëve të rënda, kishte për qëllim shkëputjen e pjesës veriore të Kosovës, ku ndodhen komunat me shumicë serbe, dhe bashkimin e saj me Serbinë.
Në aktakuzë, Radoiçiq përshkruhet si “udhëheqës i grupit terrorist”.
Sipas aktakuzës, më 24 shtator 2023, Radoiçiq dhe pjesëmarrësit e tjerë bllokuan rrugën që çonte drejt urës së fshatit me dy kamionë. Më pas, ata u fshehën dhe sulmuan pjesëtarët e Policisë së Kosovës që kishin shkuar për t’i larguar kamionët dhe për të liruar rrugën.
Gjatë sulmit u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Ndërsa, sipas aktakuzës, u plagosën edhe policët:
Alban Rashiti
Çlirim Shaqiri
Mirsad Kryeziu
Sedat Dushi
Sipas aktakuzës, përleshja zgjati deri rreth orës 15:00, kur “shumica dërrmuese e grupit iku përmes rrugëve malore drejt Republikës së Serbisë”.
Në aktakuzë thuhet se pjesëtarët e grupit ishin “trajnuar profesionalisht” dhe se kishin hyrë ilegalisht në Kosovë nga Serbia, përmes rrugëve malore.
Ata, sipas aktakuzës, kishin përdorur dhjetëra automjete, disa prej tyre të blinduara, të cilat ishin të ngarkuara me armë të rënda, municione, raketahedhës, eksplozivë, uniforma ushtarake kamufluese dhe pajisje të tjera ushtarake e logjistike.
Deri më tani, lidhur me këtë rast janë dënuar Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq.
Tolliq dhe Spasojeviq janë dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa Maksimoviq është dënuar me 30 vjet burgim.
Sulmi i 24 shtatorit 2023 në Banjskë mbetet një nga ngjarjet më të rënda të sigurisë në Kosovë në vitet e fundit, ndërsa procedurat gjyqësore ndaj personave të tjerë të përfshirë në këtë rast vazhdojnë.











