Ka përfunduar nata e tetë e protestës në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ku mijëra qytetarë u mblodhën për të kundërshtuar aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Protesta nisi në orën 21:00, njësoj si në netët e kaluara.
Të pranishmit shprehën mbështetjen e tyre për ish-krerët e UÇK-së përmes sloganeve dhe brohorimave, duke kërkuar drejtësi dhe duke kundërshtuar vendimin e gjykatës.
Gjatë protestës, qytetarët fishkëllyen në shenjë revolte, duke shprehur pakënaqësi edhe për atë që e konsiderojnë si mungesë të reagimit institucional ndaj aktgjykimit.
Në fjalimin e tij sonte, një prej organizatorëve të protestës “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës të veprojnë sa më shpejt ndaj kërkesave të protestuesve.
Ai ka kërkuar trajtimin dhe votimin e projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, si dhe mbështetje me fonde për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së.
“Mosveprimi i institucioneve nuk mund të zgjasë pafund. Sepse ne nuk e durojmë padrejtësinë. Populli nuk e duron heshtjen. Pritjes sonë po i vjen fundi. Durimi ynë po përfundon. Nga ky shesh u themi institucioneve: Veproni sa më shpejt! Mos e ngatërroni qetësinë tonë të deritanishme me dobësi”, ka deklaruar Haziri.
Ai gjithashtu ka theksuar se protestuesit nuk do të heshtin përballë mosveprimit institucional dhe se do të vazhdojnë të mblidhen derisa kërkesat e tyre të marrin përgjigje.
Ndryshe, kundër këtij vendimi janë zhvilluar protesta edhe jashtë Kosovës.
Në ditët e fundit, tubime në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së janë mbajtur në New York, Kanada, Zvicër, Gjermani dhe Austri.
Dhomat e Specializuara të Kosovës i shpallën fajtorë për krime lufte dhe dënuan me 25 vjet burgim ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, dhe ish-zëvendëskomandantin e UÇK-së, Jakup Krasniqin.
Kadri Veseli u dënua me 18 vjet burgim, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet.
Në total, dënimet ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së arrijnë në 81 vjet burgim./teve1.info/








