Me vizita, homazhe dhe vendosjen e gurthemelit të një obelisku në Banjskë, Policia e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme do të shënojnë nesër 3-vjetorin e rënies në detyrë të rreshterit Afrim Bunjaku.
Aktivitetet do të nisin në orën 10:00 me vizitë te familja Bunjaku në Samadrexhë të Vushtrrisë.
Në orën 10:40 do të bëhen homazhe te varri i tij, po në Samadrexhë.
Në orën 12:00, në Banjskë të Zveçanit, do të vendoset gurthemeli i obeliskut kushtuar Bunjakut.
Programi përkujtimor do të përmbyllet me një akademi në orën 20:00, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë.
Ndryshe, në orët e para të mëngjesit të ditës së diel të 24 shtatorit 2023, është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa janë plagosur edhe policë të tjerë.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Banjskë të Zveçanit ku terroristë serbë kanë sulmuar patrullën policore.
Një vit më vonë, më 11 shtator 2024, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjera për sulmin terrorist në Banjskë.
Ndërsa, më 24 prill 2026, Bllagoje Spasojeviq dhe Vlladimir Tolliq u dënuan me burgim të përjetshëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për sulmin e armatosur në Banjskë, ndërkaq Dushan Maksimoviq u dënua me 30 vjet burgim, transmeton KosovaPress.
Vendimi ishte mirëpritur nga autoritetet në Kosovë.
Në shpalljen e aktgjykimit për sulmin në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023, kur u vra rreshteri i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku, i pranishëm ishte vetëm Dushan Maksimoviq.
Përkundër se autoritetet e Kosovës kanë kërkuar dorëzimin e Milan Radoiçiqit për gjykim në Kosovë, ai nuk ëshë dorëzuar dhe vazhdon të qëndroj në Serbi.
Ky sulm i armatosur ishte dënuar nga autoritetet e Kosovës dhe bashkësia ndërkombëtare.







