Avokati Valdet Hoxha e ka cilësuar si të çuditshëm në aspektin juridik vendimin e Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë.
Në emisionin “Ditari” në Tëvë1, Hoxha ka thënë se, pavarësisht pikëpyetjeve juridike, vendimi i Kushtetueses i ka dhënë një zgjidhje krizës institucionale në vend.
“Është paksa e çuditshme që Gjykata Kushtetuese konstaton se Kuvendi është themeluar pas afatit kushtetues, por në anën tjetër e njeh Kuvendin dhe Qeverinë. E dyta, e habitshme është edhe çështja e nënkryetarëve. Në aktgjykimin e mëhershëm, Gjykata kishte konstatuar se nuk ka konstituim të Kuvendit pa u zgjedhur të gjithë nënkryetarët. Në këtë rast ende mungon një nënkryetar, ndërsa Gjykata kërkon që ai të zgjidhet sa më shpejt”, ka deklaruar Hoxha.
Sipas tij, tani janë përcaktuar dy mundësi: ose zgjedhja e Presidentit brenda afatit të përcaktuar, ose shpërndarja e Kuvendit dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja më 15 nëntor.
Hoxha ka theksuar se vendimi i Kushtetueses nuk i relativizon afatet kushtetuese, pasi, sipas tij, janë përcaktuar afate të qarta që duhet të respektohen.
“Edhe pse është paksa i çuditshëm, megjithatë ka vendosur afate të jashtme, të cilat janë të pakapërcyeshme. Nga data e konstituimit fillojnë të rrjedhin afatet për formimin e Qeverisë dhe eventualisht për zgjedhjen e Presidentit”, ka thënë ai.
Duke folur për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje për Presidentin, Hoxha ka bërë thirrje për vullnet politik dhe kompromis.
Ai ka thënë se Kosovës i duhen institucionet funksionale dhe se partitë politike duhet të gjejnë një zgjidhje për tejkalimin e ngërçit institucional.
Sipas tij, zgjedhjet e reja nuk do ta zgjidhnin domosdoshmërisht problemin, pasi rezultati mund të jetë i ngjashëm dhe partitë do të përballeshin sërish me nevojën për marrëveshje për zgjedhjen e Presidentit.
Ndryshe, Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, u zgjodh në përputhje me Kushtetutën, teksa sqaroi se afati për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit është deri më 6 tetor.
Sa i përket zgjedhjes së presidentit, Gjykata tha po ashtu se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka nisur më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor.
Kushtetuesja po ashtu rrëzoi kërkesën për vendosjen e masës së përkohshme për punimet e Kuvendit.
Sa i përket Kuvendit – që u konstituua më 13 shtator dhe disa orë më vonë u zgjodh edhe Qeveria – Kushtetuesja tha se deputetët duhet të zgjedhin edhe nënkryetarin e dytë, duke konstatuar se organi ligjvënës u konstituua përtej afatit 30- ditor.
Njoftimi nga gjykata më e lartë në vend vjen pasi Partia Demokratike e Kosovës kontestoi edhe konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë./teve1.info/




