Partia Demokratike e Kosovës e ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me kërkesat e saj për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë.
Në një komunikatë, PDK-ja ka thënë se vendimi i Kushtetueses u jep përgjigje shqetësimeve të ngritura nga kjo parti për tejkalimin e afateve kushtetuese dhe nevojën për funksionalizimin e institucioneve.
“Që nga muaji gusht, PDK ka kërkuar përmbylljen e konstituimit të Kuvendit. Vonesat e njëpasnjëshme kanë penguar ushtrimin e përgjegjësive të tij dhe kanë zgjatur pasigurinë institucionale në një kohë kur qytetarët presin vendime për çështjet me rëndësi për vendin”, theksohet në komunikatë.
Partia ka kërkuar që Kuvendi të mblidhet menjëherë dhe të vazhdojë me proceset e mbetura, duke përfshirë votimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
“Kosova ka nevojë për një Kuvend që punon, për vendimmarrje dhe për institucione që mbajnë përgjegjësi para qytetarëve. Sipas vlerësimit të PDK-së, vendimi i Gjykatës Kushtetuese krijon mundësi që proceset institucionale të vazhdojnë pa vonesa të tjera”, thuhet në vijim të komunikatës.
PDK-ja ka theksuar se Kuvendi ka edhe 13 ditë për ta përmbyllur procesin e konstituimit, për ta zgjedhur Presidentin dhe për të shmangur zgjedhjet e parakohshme.
Sipas kësaj partie, votimi i Projektligjit për Dhomat e Specializuara është prioritet në kuadër të, siç thuhet, mbrojtjes së vlerave të luftës së UÇK-së dhe respektimit të sakrificës së popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.
“Partia Demokratike e Kosovës kërkon që Kuvendi të mblidhet menjëherë dhe të përfshijë si pikë të parë në rendin e ditës Projektligjin për Dhomat e Specializuara. Për PDK-në, votimi i kësaj nisme ligjore është prioritet kombëtar në përpjekjen për drejtësi, për mbrojtjen e vlerave të luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për respektimin e sakrificës së popullit të Kosovës për liri e pavarësi”, nënvizohet në fund të komunikatës.
Ndryshe, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vlerësoi se Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, u zgjodh në përputhje me Kushtetutën, teksa sqaroi se afati për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit është deri më 6 tetor.
Sa i përket zgjedhjes së presidentit, Gjykata tha po ashtu se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka nisur më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor.
Njoftimi nga gjykata më e lartë në vend vjen pasi Partia Demokratike e Kosovës kontestoi edhe konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë./teve1.info/








