Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ka kritikuar aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me situatën institucionale në vend.
Përmes një postimi në Facebook, Selmanaj ka ngritur disa çështje që, sipas tij, paraqesin kundërthënie në interpretimin e afateve kushtetuese për konstituimin e Kuvendit, formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e Presidentit.
Selmanaj ka renditur tri pika që, sipas tij, përbëjnë problemin kryesor në aktgjykim.
“Kuvendi nuk është konstituar në afatin Kushtetues; Edhe pse Kuvendi ‘është’ konstituuar jashtë afatit kushtetues dhe pa u plotësuar kryesia edhe me nënkryetarin nga partia e dytë – zgjedhja e Qeverisë nuk është kundërkushtetuese.Kurse afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit fillon nga data 6 gusht, edhe pse Kuvendi s’e ka respektuar këtë afat për konstituim dhe për zgjedhjen e Qeverisë…”
Sipas Selmanajt, një interpretim i tillë krijon kundërthënie në mënyrën se si janë trajtuar afatet kushtetuese.
“Absurditet logjik dhe profesional!Ky aktgjykim është jashtë çdo logjike elementare njerëzore, e lëre më logjikës juridike dhe kushtetuese!”, ka shkruar Selmanaj.







