Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, ka zhvilluar sot një takim me kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës.
Gjatë takimit, sipas njoftimit, është diskutuar për sfidat me të cilat përballen komunat në ofrimin e shërbimeve për qytetarët, si dhe për nevojën e forcimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të nivelit qendror dhe atij lokal.
Në fokus të diskutimeve ka qenë edhe kontributi i institucioneve lokale në procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.
Schuebel ka theksuar se BE-ja do të vazhdojë mbështetjen për zhvillimin e qeverisjes demokratike lokale në të gjithë Kosovën.
“Si partneri më i fuqishëm i Kosovës dhe ofruesi më i madh i ndihmës financiare, BE-ja do të vazhdojë të mbështesë zhvillimin e qeverisjes demokratike lokale në mbarë Kosovën. Pres me kënaqësi të vizitoj edhe pjesën tjetër të Kosovës”, ka thënë Schuebel.
Takimi është pjesë e angazhimit të BE-së për të zgjeruar bashkëpunimin edhe jashtë Prishtinës dhe për të mbështetur institucionet lokale në Kosovë.








