Inspektorati Qendror i Punës ka ndërmarrë masa ndaj gjashtë objekteve ndërtimi në Kosovë, pas konstatimit të parregullsive lidhur me sigurinë dhe shëndetin në punë.
Gjatë inspektimeve të realizuara në terren, zyrtarët e Inspektoratit kanë evidentuar mangësi në masat e ndërmarra për garantimin e sigurisë së punëtorëve në tri objekte ndërtimi në Prishtinë, dy në Mitrovicë dhe një në Pejë.
Si rezultat i këtyre konstatimeve, Inspektorati Qendror i Punës ka marrë vendime për ndalimin e përkohshëm të punimeve në këto objekte, deri në eliminimin e të gjitha mangësive të evidentuara dhe krijimin e kushteve të sigurta për zhvillimin e punës.
Në njoftimin e tij, Inspektorati Qendror i Punës ka theksuar se mbetet i përkushtuar në mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit të punës, veçanërisht të standardeve që lidhen me sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës.
Institucioni u ka bërë thirrje të gjithë punëdhënësve që të respektojnë me përpikëri standardet e sigurisë dhe shëndetit në punë, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe krijimit të një ambienti të sigurt për punëtorët.
Inspektorati ka bërë të ditur se kontrollet në terren do të vazhdojnë në kuadër të mbikëqyrjes së zbatimit të legjislacionit të punës.







