Vedat Muriqi pritet të jetë kapiteni i ri i Kosovës, pas largimit të Amir Rrahmanit, i cili e drejtoi ekipin për shtatë vite.
Sulmuesi 32-vjeçar i Fenerbahçes është një prej figurave kryesore të Dardanëve dhe tashmë pritet të marrë përsipër edhe një përgjegjësi të re, atë të bartjes së shiritit të kapitenit.
Muriqi është rekordmen i Kosovës sa i përket golave, me 32 të realizuar në 68 paraqitje.
Kapiteni i ri nuk është i panjohur me këtë rol.
Muriqi e ka mbajtur tetë herë shiritin e kapitenit të Kosovës në të kaluarën, në mungesë të Rrahmanit, dhe tash pritet që ai të jetë zgjedhja kryesore për këtë pozitë.
Muriqi debutoi me Kosovën më 9 tetor 2016, në ndeshjen ndaj Ukrainës, kur ishte vetëm 22 vjeç.
Që nga atëherë, ai është shndërruar në golashënuesin më të mirë në historinë e përfaqësueses, ndërsa me 68 paraqitje është i dyti në listën e lojtarëve me më shumë ndeshje për Dardanët.
Më shumë paraqitje se Muriqi ka vetëm Mërgim Vojvoda.
Mbrojtësi 31-vjeçar ka 75 ndeshje me Kosovën dhe pritet të jetë kapiteni i dytë në hierarkinë e re të ekipit kombëtar.
Pas tyre, një tjetër kandidat për të mbajtur shiritin është Milot Rashica.
Sulmuesi 30-vjeçar ka 64 paraqitje me Kosovën dhe 12 gola, duke qenë një prej lojtarëve me më shumë përvojë në ekip.
Këta të tre, janë lojtarët e vetëm që janë mbi 30 vjeç në këtë tubim, pasi që përveç Rrahmanit, edhe Florent Hadërgjonaj ka pezulluar angazhimin me ekipin kombëtar, ndërsa Fidan Aliti dhe Valon Berisha janë pezulluar.











