Këto janë kodrat e Kozhljes, në Novi Pazar të Serbisë.
Brenda këtij terreni po zhvillohen gërmime në kërkim të mbetjeve mortore të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Kësisoj, për 26 vjet, në këtë hapësirë janë hedhur mbeturina nga komunat përreth.
Anëtari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara, thotë se gjatë rifillimit të gërmimeve është kërkuar që punimet të shoqërohen me të dhëna nga arkivat e institucioneve të Serbisë.
“Në momentin e rifillimit edhe të vitit të kaluar, kemi qenë shumë të qartë në raport me kërkesat që i kemi adresuar, por edhe të Komisionit të Serbisë, institucioneve të Serbisë, por edhe për partnerët ndërkombëtarë, që lokacionet e tilla, në mënyrë të veçantë në Kozhlje, pashmangshëm çdo aktivitet në terren duhet të shoqërohet me të dhëna nga arkivat e institucioneve të Serbisë”, ka thënë Gara.
Gara thotë se për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, Serbia vazhdon të mos ofrojë të dhëna të mjaftueshme.
“Serbia edhe në këto lokacione, edhe në lokacionet e tjera të Rashkës, tani më edhe në lokacionet e tjera të shënuara në lokacionet e Serbisë, në vazhdimësi ka vazhduar me këtë qasje politizuese, ka mungesë të plotë të të dhënave nga arkivat, por ka edhe mungesë të plotë në kuptimin e caktimit të datave të lokacioneve të tjera që janë pjesë e agjendës, që janë të rëndësishme për ne”, u shpreh tutje Gara.
Gara shtoi se Serbia që nga viti 2001 ka potencuar listën për 16 varreza masive në territorin e saj.
“Serbia qysh në vitin 2001 ka potencuar listën për 16 varre masive në territorin e Serbisë. Ne deri më tani kemi pesë varre të konfirmuara. Megjithatë, deri sa nuk e kemi qasjen e plotë në këtë listë, nuk e dimë nëse këto pesë varre masive janë pjesë e kësaj liste prej 16 varrezave masive. Edhe në qoftë se janë, i bie që i kemi edhe 11 varreza masive në territorin e Serbisë”, theksoj Gara.
Përndryshe, nga lufta e fundit në Kosovë mbesin të zhdukur mbi 1500 persona.






