Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka rikonfirmuar orientimin strategjik të Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe NATO, gjatë takimit ministror të Bashkëpunimit të Mbrojtjes së Evropës Qendrore (CEDC) me partnerët e Ballkanit Perëndimor, të mbajtur në Brdo pranë Kranjit në Slloveni.
Maqedonci ka thënë se siguria e Evropës Qendrore dhe e Ballkanit Perëndimor është e ndërlidhur, ndërsa ka prezantuar përparimin e Kosovës në ndërtimin e një force profesionale dhe të ndërveprueshme.
Sipas tij, prioritetet e Kosovës përfshijnë përmbylljen e tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), forcimin e qëndrueshmërisë kombëtare dhe zhvillimin e industrisë së mbrojtjes.
Gjatë takimit, ministri kosovar ka propozuar hapa konkretë për rritjen e bashkëpunimit rajonal, përfshirë lehtësimin e lëvizjes së forcave gjatë krizave, koordinimin në reagimin ndaj fatkeqësive dhe bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes.
Maqedonci ka propozuar gjithashtu krijimin e një grupi pune për avancimin e nismës për Kolegjin e Mbrojtjes të Ballkanit Perëndimor, i cili do të synonte krijimin e mundësive për liderët e ardhshëm ushtarakë dhe civilë që të trajnohen dhe të ndërtojnë besim të ndërsjellë.
Në përfundim të takimit, pjesëmarrësit janë dakorduar për një deklaratë të përbashkët, përmes së cilës riafirmuan përkushtimin ndaj sigurisë, stabilitetit dhe bashkëpunimit praktik në fushën e mbrojtjes ndërmjet Evropës Qendrore dhe Ballkanit Perëndimor.
Deklarata thekson, ndër të tjera, nevojën për gatishmëri më të madhe, ndërveprueshmëri dhe përmirësimin e lëvizshmërisë ushtarake në rajon.
“Kosova është e gatshme të kontribuojë si partnere e besueshme për sigurinë e rajonit dhe të Evropës”, ka deklaruar Maqedonci./teve1.info/




