Mbrëmja e 5 gushtit të vitit 2022, kishte tronditur Lipjanin.
Pas një mosmarrëveshje, Gazmend Selimi dyshohet se e kishte goditur Dardan Gashin, ndaj të cilit kishte shtënë me armë Muhamet Gashi.
Si pasojë e plagëve të marra, Dardan Gashi mbeti i vrarë, kurse dy persona të tjerë ishin plagosur.
Të akuzuar për “vrasje e rëndë në bashkëkryerje” janë Gazmend Selimi dhe Muhamet Gashi.
Selimi disa ditë pas ngjarjes ishte dorëzuar në polici, dhe ndaj tij ka nisur gjykimi.
Por, të martën ky i fundit, ani pse i akuzuar, nuk ishte prezent në sallën e gjyqit.
Sipas avokates së tij, Gazmend Selimi ndodhet jashtë vendit dhe punedhenesi nuk ia aprovoi pushimin.
“Për besë i kom thanë gjyqtare, por më tha që e kam shumë të pamundur se më ka ra me ardhë shpesh kohëve të fundit”, ka thënë avokati i Gazmend Selimi, Elena Dragusha.
Mirëpo, avokatja tha se Selimi i premtoi një gjë.
“Ka premtu se në seancat e tjera do të jetë prezent çdoherë”, tha tutje avokati i Gazmend Selimi.
Përvec Selimit, në seancën e së martës, në gjykatore nuk u paraqitën as dëshmitarët.
“Nuk prezanton dëshmitari Florent Thaqi, për të njëjtin është lëshu urdhëres e përsëritur dhe stacioni policor dje, 21.09 ka njoftu Gjykatën se dëshmitari nuk gjendet në Kosovë, por në shtetin e Zvicrës. Nuk prezanton dëshmitari Dren Krasniqi, për të njëjtin është lëshuar urdhëres për sjellje me detyrim dhe stacioni policor na ka njoftu se i njëjti gjendet në Gjermani dhe nuk mundet me marrë pjesë në këtë seancë”, ka deklaruar Sulltane Hoti.
Krejt kjo, bëri që seanca të shtyhet për në muajin tetor.
“Për dëshmitarët e lartëcekur, Gjykata do të lëshojë urdhëresë për sjellje me detyrim”, ka përfunduar tutje avokati.
Këta dëshmitarë do të jenë të parët që do të dëgjohen në këtë proces gjyqësor.



