Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka kritikuar ashpër punën e Dhomave të Specializuara në Hagë, duke e krahasuar procesin gjyqësor me një ndeshje futbolli.
Përmes një postimi në Facebook, Behrami ka thënë se, sipas tij, për gjashtë vjet Gjykata Speciale ka funksionuar me “referë të blerë dhe VAR të manipuluar”.
“Prandaj, deri më sot, Prokuroria ka fituar 45:0 ndaj Mbrojtjes”, ka shkruar Behrami.
Ai ka kritikuar edhe Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke pretenduar se ky ligj u ka dhënë përparësi palëve të caktuara dhe se është keqpërdorur.
Behrami ka bërë të ditur se ndryshimet ligjore të propozuara nga deputetët janë dërguar në Kuvend, duke i konsideruar ato të nevojshme për, siç shprehet ai, krijimin e mundësive të barabarta për palët në proces.
“Nuk ka ligj në botë që është mbi Kushtetutën dhe konventat ndërkombëtare. Ftoj të gjithë kolegët të bëhen pjesë e rikthimit të ligjshmërisë në këtë Gjykatë. Për hir të mbrojtjes së historisë”, ka shkruar ai./teve1.info/








