Për të punuar një pajisje, tjetra duhet të hiqet nga priza.
Çdo ditë, Rinor Mulollit i duhet ta bëjë këtë veprim, në mënyrë që të kryej punë në biznesin e tij.
Kjo pasi energjia elektrike në rrugën “Shpëtim Robaj” në lagjen Taukbahçe në Prishtinë, është shumë e dobët.
“Lagjia këtu ka problem që 11 vjet, por 3 vitet e fundit rryma është shumë e dobët, për shkak që trafo është paraparë për shumë pak shpija e janë maru shumë shpija që janë lidh me qat trafo e tash e kemi rrymen shumë të dobët. Unë po kam shumë problem kohëve të fundit po duhet me i hek shumë sende prej rrymes frigoriferi nuk më funksionon më, po duhet bojlerin me hek prej rryme, klimen spo guxojm me lshu se po na merr shumë rrymë edhe po me nxjerr shumë problem”, u shpreh nje banor.
Problemi me energjinë elektrika ka bërë që Mulolli të mos ketë mundësi që punën ta zhvilloj normalisht.
“Femat marrin shumë rrymë, nese i lëshojm dy pernihere atehere këtu bohet terr krejt. Duhet me lshu here njonen e herë njonen. E këtë problem e kan vërejt edhe klientat”, ka thënë tutje banori.
Me të njëjtin hall po përballet edhe Valid Krasniqi, pronar i një furre në lagjen Taukbahçe.
“…Kom hup punëtorë e kom hup shumë markete që ju kom qu bukë e shumë sene bile qeto drita shumë herë i kemi ndrru. Ka ndodh që deri në 4000 euro furrë të bukës që kom ndrru, që i kom në dy faza i kom ndrru pastaj i kom ble 10000 euro tjera edhe prap mi ka djeg, i kem ndrru maqinat u dasht me pagu mjeshtrin edhe shteti svjen met thon kurgjo”, u shpreh edhe një banor tjetër.
Për këtë çështje, televizioni ka kontaktuar me KEDS-in.
Në një përgjigje me shkrim kanë theksuar se synojnë ta trajtojnë me urgjencë këtë problematikë.
“Ekipet tona teknike janë në terren për të verifikuar nga afër situatën e krijuar. Në varësi të gjetjeve dhe konstatimeve të ekipeve tona në vendin e ngjarjes, do të ndërmerren menjëherë hapat e nevojshëm operacionalë sa më parë të jetë e mundur”, ka njoftuar KEDS-i
Zëdhënësja e KEDS-it, Bleona Dallaveraj, ka premtuar se porsa t’i pranojnë të gjeturat, do t’i ndajnë me televizionin.



