Shoqata e Peshkatarëve Sportivë Rekreativë “Krapi” ka njoftuar për praninë e peshqve të ngordhur në Liqenin e Badovcit.
Sipas njoftimit të kësaj shoqate tre peshq janë gjetur të ngordhur.
“Sot, më 19shtator 2026, gjatë ditës kemi pranuar informata nga terreni për praninë e peshqve të ngordhur në Liqenin e Badovcit. Ekipi i Shoqatës ka dalë menjëhirë në vendin e ngjarjes, ku ka identifikuar 3 peshq të llojit Ballgjër të ngordhur. Biomasa e tyre është jashtëzakonisht e madhe: dy prej tyre vlerësohen të jenë rreth 40 kg, ndërsa i treti kalon peshën prej 50 kg”, thuhet në njoftimin e shoqatës.
Për shkak të orëve të vona dhe reshjeve të shiut, inspektimi është ndërprerë përkohësisht, ndërsa nga shoqata kanë bërë të ditur se verifikimet do të vazhdojnë për të përcaktuar shkaqet e ngordhjes së peshqve.
Shoqata ka ngritur dyshime lidhur me praninë e këtij lloji peshku në ujëra të cekëta, pasi, sipas saj, Ballgjëri zakonisht qëndron në thellësi dhe nuk frekuenton zonat e cekëta.
“Vetëm 3 ditë më parë, njëri nga këta peshq është incizuar i gjallë nga një peshkatar në një zonë me thellësi ujore prej vetëm rreth 1 metri”, thuhet tutje në njoftim.
Sipas Shoqatës “Krapi”, kjo situatë është monitoruar me kujdes, ndërsa lëvizja e peshqve në ujëra të cekëta është konsideruar si një sinjal shqetësues për gjendjen e tyre shëndetësore ose mjedisin ujor.
Shoqata ka bërë të ditur se do të informojë publikun për rezultatet e verifikimeve dhe detajet e reja pas përfundimit të inspektimit në terren.




