Ushtari i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Ismail Ahmeti, është renditur i dyti në “Garën për Luftëtarin më të Mirë” në Ajova të SHBA-së.
Sipas njoftimit të FSK-së, Ahmeti tregoi profesionalizmin e FSK-së.
“Në mesin e pjesëmarrësve nga FSK-ja ishte edhe OR3 Ismail Ahmeti, i cili u rendit në mesin e finalistëve, duke siguruar vendin e dytë në këtë garë dhe duke përfaqësuar me profesionalizëm Forcën e Sigurisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e FSK-së.
Tutje, në njoftim bëhet e ditur se, përveç Ahmetit, në garë kanë qenë edhe tre pjesëtarë të tjerë të FSK-së, në të cilën u vunë në provë aftësitë ushtarake të tyre.
“Me ftesën nga Garda Kombëtare e Ajovës në kuadër të partneritetit ndërmjet Ajova-s dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, tre pjesëtarë të FSK-së ishin pjesë në “Garën për Luftëtarin më të mirë” (Best Warrior Competition 2027) Gara katër ditore vuri në provë përgatitjen fizike dhe mendore, aftësitë ushtarake dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve, përmes sfidave të ndryshme të karakterit ushtarak”, thuhet në njoftimin e FSK-së.
Në përfundim të këtij njoftimi, FSK-ja bën të ditur se kjo ishte një mundësi e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e bashkëpunimit dhe partneritetit me Gardën Kombëtare të Ajovës.




