Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se vëllezërit Bytyqi të vrarë gjatë luftës në Kosovë nga forcat serbe përfaqësojnë vlerat më të larta të UÇK-së dhe popullit të Kosovës.
Ai kështu është shprehur pas homazheve që ka bërë në New York gjatë vizitës në ShBA.
“Vëllezërit Bytyqi, me veprat e tyre fisnike, përfaqësojnë vlerat më të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të popullit tonë. Në sakrificën e tyre nderojmë edhe mërgatën tonë në Amerikë, breza shqiptarësh që, edhe larg atdheut, i qëndruan pranë Kosovës dhe i dolën zot asaj kur kishte më së shumti nevojë. Rasti i vëllezërve Bytyqi dëshmon për krimet e kryera nga forcat shtetërore serbe, por edhe për drejtësinë që, 27 vjet më pas, ende mungon. Kalimi i kohës nuk e zbeh krimin dhe as nuk e shuan detyrimin për përgjegjësi”, ka shkruar Kurti.
Ai ka thënë se do të vazhdojnë të kërkojnë drejtësi për vëllezërit Bytyqi bashkë me ShBA-në.
“Prandaj, bashkë me shtetin amerikan, do të vazhdojmë ta kërkojmë të vërtetën dhe drejtësinë për Yllin, Agronin dhe Mehmetin. Lavdi vëllezërve Bytyqi!Mirënjohje të përhershme Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe mërgatës sonë, që në ditët më të vështira qëndruan krah Kosovës”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Kurti po qëndron në ShBA ku do të marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë së OKB-së.




