Lajçak ka dhënë një intervistë ekskluzive për RTK, ku ka folur për dialogun Kosovë-Serbi. Ai ka thënë se plani ishte që të kishte një takim të nivelit të lartë ende para pushimeve verore, por kjo nuk ndodhi.
“Por, ky nuk është problem as tragjedi. Më e rëndësishmja është se të dy liderët, kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq të cilët janë pajtuar për takimin, kanë rënë dakord që të takohen rregullisht. Ata janë dakorduar që dialogun ta qojnë në atë nivel dhe në të njëjtën kohë ne duhet të sigurohemi që takimi i tretë zyrtar në Bruksel të jetë pozitiv dhe të japë rezultate konkrete”, ka thënë Lajçak në RTK .
Sipas tij, nuk është e rëndësishme se ku do të mbahet takimi, por cilësia e takimit.
“Pas vlerësimit të situatës vendosëm që është më mirë të presim pak dhe të sigurohemi që takimi të jetë i mirë”, ka thënë ai.
Edhe pse nuk u realizua takimi i liderëve, Lajçak thotë se ata janë të përkushtuar ndaj dialogut.
“Kjo nuk do të thotë se nuk ka pasur dialog gjatë një viti. Vitin e kaluar u fokusuam në diskutimet mes kryenegociatoreve. Ne po punonim shumë. Ata vinin këtu në Bruksel në baza mujore dhe sigurisht ky angazhim rezultoi në një marrëveshje shumë të rëndësishme për energjinë në udhërrëfyes për zbatimin e marrëveshjeve energjetike nga viti 2013 dhe 2015. Janë tre ose katër marrëveshje në një fazë shumë të afërt të finalizimit.Ne angazhohemi në të njëjtën kohë me të dy liderët duke diskutuar veçmas hapat e ardhshëm ose një fazë tjetër të dialogut dhe ne ramë dakord që me të vërtetë kryenegociatorët do të vazhdojnë punën e tyre, por ne duhet të shtojmë shtresën e lartë sepse normalizimi eshtë agjenda e liderëve, kështuqë të dy janë gati.Nuk e kemi pasur ndjesinë se rrethanat janë të favorshme për këtë vendosem ta shtyejmë takimin”, është shprehur ai.
Ai ka thënë se takimi mes dy liderëve, Kurtit dhe Vuçiq nuk duhet të vonohet, ky takim duhet të ndodh më së largu deri në fillim të shtatorit.
“Është gjithmonë e ndërlikuar të luash me takime. Kur isha në Prishtinë thash se unë këtë e pres para pushimeve verore, por jeta ndonjëherë ndryshon planet tona. Por definitivisht nuk do të humbas kohën time e të punoj për takimin e radhës pa vonesë. Qoftë fundi i gushtit apo fillimi i shtatorit. Nuk shoh asnjë arsye për të pritur përtej kësaj”, ka shtuar Lajçak.
Lajçak ka thënë se u desh kohë që të arrihet deri te ulja në tavolinën e negociatave me kryeministrin kosovar, Albin Kurti.
Ai shtoi se kjo ka ndodhur për shkak se Kurti kishte ardhur me qëndrime të forta për dialogun, por që nuk është vënë në pikëpyetje rëndësia e tij.
“Kurti erdhi me qëndrime të forta për një dialog dhe na u desh kohë që të arrijmë më një pikë që të besojmë se mund të kemi takime produktive, por rëndësia e dialogut nuk është vënë në pikëpyetje”, tha ai në një intervistë për RTK.
Sipas Lajçak, kjo kohë është e favorshme për dialogun, pasi që nuk ka zgjedhje të planifikuara as në Kosovë e as në Serbi dhe kjo duhet të shfrytëzohet deri në fillimin e vitit 2024, kur Evropa e SHBA-ja hyjnë në zgjedhje.
“Tani për tani kemi dritaren e mundësive deri në fillim të vitit 2024. Sepse në maj në vitin 2024 do të ketë zgjedhje evropiane dhe në SHBA do të ketë zgjedhje presidenciale atë vit”, ka thënë ai.
Lajçak kërkon fokus në çështjen e dialogut, por që thotë se askush nuk e di se çfarë mund të ndodh.
“Çfarë ndodh pas këtyre zgjedhjeve askush nuk e di, prandaj duhet të fokusohemi vërtet, ti përdorim këta 20 muaj apo 18 muaj. Liderët janë të vetëdijshëm për këtë gjë dhe kjo është arsyeja pse ne duam që ata të takohen rregullisht”, ka thënë emisari sllovak.
Po ashtu ai ka folur edhe për çështjen e të pagjeturve, duke thënë se është ‘dy fjalë’ afër dhe larg marrëveshjes, duke shtuar se 99.5 për qind e tekstit të marrëveshjes është dakorduar.
Lajçak thotë se tani duhet vetëm vullnet politik për arritjen e kësaj marrëveshje, e që sipas tij, do të sjellë pozitivitet tek njerëzit.
“Por, duam të sigurohemi që takimi të prodhojë diçka pozitive për njerëzit, më logjike e me e dukshme do të ishte një rezultat pozitiv i takimit do të ishte marrëveshja për personat e zhdukur sepse kjo është një çështje aq e dhimbshme, po aq e dhimbshme për familjarët e personave të zhdukur në Kosovë e në Serbi. Ne jemi duke punuar për këtë në veçanti. Ne jemi dy fjalë afër apo dy fjalë larg marrëveshjes dhe ne do të kemi konsultime edhe në ditët në vijim për këtë. 99.5 për qind e teksti është dakorduar dhe tani duhet vetëm vullnet politik”, tha Lajçak.