Mallra të padeklaruara në vlerë rreth 4 mijë e 100 euro janë zbuluar të premten nga Dogana e Kosovës në pikëkalimin kufitar të Vërmicës.
Sipas njoftimit, mallrat janë zbuluar gjatë kontrolleve rutinore të autobusëve që hynin në territorin e Republikës së Kosovës.
Në bagazhin e autobusit është gjetur një aparat kafeje i ri, i papërdorur, si dhe mallra të tjera të shoqëruara me faturë, të cilat nuk ishin deklaruar pranë autoriteteve doganore.
“Dogana e Kosovës ka parandaluar një rast të tentim-kontrabandimit të mallrave në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë, gjatë kontrolleve rutinore të autobusëve që hynin në territorin e Republikës së Kosovës. Gjatë kontrollit doganor, i cili përfshin verifikimin e bagazhit të automjetit, si dhe bagazheve personale të udhëtarëve, zyrtarët doganorë kanë zbuluar mallra të padeklaruara. Në bagazhin e autobusit është gjetur një aparat kafeje i ri, i papërdorur, si dhe mallra të tjera të shoqëruara me faturë, të cilat nuk ishin deklaruar pranë autoriteteve doganore. Vlera e përgjithshme e mallrave të zbuluara vlerësohet rreth 4,100 euro”, thuhet në njoftim.
Dogana e Kosovës ka ndërmarrë veprimet e parapara sipas legjislacionit doganor dhe ka iniciuar procedurat përkatëse ndaj rastit.
“Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe mbrojtjen e interesave financiare të Republikës së Kosovës, duke garantuar njëkohësisht konkurrencë të drejtë dhe zbatim të barabartë të ligjit në të gjitha pikat kufitare”, theksohet në fund të njoftimit./teve1.info/








