Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka folur para protestuesve të mbledhur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, duke thënë se sot “të gjithë jemi UÇK”.
Gucati tha se protesta është organizuar për të ngritur zërin kundër, siç e cilësoi ai, një padrejtësie të madhe.
“Prokurorët që ranë në ndikim të Serbisë dhe Rusisë. Sot ne i them, jo në emrin tim. Ata ishin njerëzit më të mirë të kombit. Ne sot kërkojmë që këtë vendim Gjykata ta shfuqizojë”, tha Gucati.
Ai deklaroi se, sipas tij, mbi dy milionë shqiptarë janë ngritur në këmbë dhe kritikoi institucionet e vendit për mungesën e reagimit.
“Ende nga institucionet e vendit nuk kemi dëgjuar asnjë fjalë. Jemi të befasuar”, u shpreh ai.
Gucati foli edhe për ish-ministren Donika Gërvalla, duke kërkuar sqarime lidhur me dokumentacionin që, sipas tij, është dorëzuar në Hagë.
“Ne e dimë që Donika ka dorëzuar dokumentacione në Hagë. I themi Kurtit që nga sot t’i përjashtojë këta njerëz që bashkëpunojnë me armikun. Janë armiq të vendit tim dhe ne nuk i duam në mesin tonë”, deklaroi ai.
Gucati theksoi se veteranët dhe çlirimtarët, sipas tij, nuk janë kundër ndonjë qeverie, por kundër atyre që heshtin për zhvillimet e fundit.
“Ne çlirimtarët e vendit s’jemi kundër asnjë qeverie, por jemi kundër atyre njerëzve që heshtin”, tha ai.
Në fund, Gucati kërkoi nga Donika Gërvalla që të japë sqarime publike dhe nga kryeministri Albin Kurti që ta largojë atë nga Qeveria.







