Këshilli i Evropës publikoi të enjten një udhëzues praktik që synon të ndihmojë organet e barazisë të përcaktojnë nëse sistemet e inteligjencës artificiale kanë kontribuar në raste diskriminimi dhe të identifikojnë masat që duhet të ndërmerren.
Metodologjia evropiane për vlerësimin e diskriminimit algoritmik u prezantua në Bruksel, gjatë eventit përmbyllës të një projekti dyvjeçar të bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe të zbatuar nga Këshilli i Evropës në bashkëpunim me Komisionin Evropian, shkruan euronews.
Sipas Këshillit të Evropës, publikimi i ri i përkthen standardet dhe ekspertizën ligjore e teknike në një qasje praktike, hap pas hapi, për profesionistët që trajtojnë raste të diskriminimit algoritmik.
Udhëzuesi përcakton mënyrat se si organet e barazisë mund të identifikojnë sistemin algoritmik të përfshirë në një rast, të mbledhin informacionin e nevojshëm dhe të vlerësojnë nëse ka pasur diskriminim.
Ai parashikon gjithashtu shqyrtimin e çështjeve nga këndvështrimi ligjor dhe teknik, si dhe identifikimin e mjeteve juridike që mund të përdoren në rastet kur konstatohet diskriminim.
Publikimi është aktualisht i disponueshëm në anglisht, holandisht, frëngjisht, suedisht, finlandisht dhe portugalisht.











