TËVË 1 - Lexoje të vërtetën!
  • LAJMET
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • OPINIONE
Reklamo në tëvë1.info
No Result
View All Result
TËVË 1 - Lexoje të vërtetën!
  • LAJMET
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • OPINIONE
Reklamo në tëvë1.info
No Result
View All Result
TËVË 1 - Lexoje të vërtetën!
Reklamo

​Tromp: Serbia do ta përdorë aktgjykimin si mjet lufte kundër Kosovës

by Tëvë1
1 orë ago
1
A A
​Tromp: Serbia do ta përdorë aktgjykimin si mjet lufte kundër Kosovës

Studiuesja, profesoresha, autorja dhe ish hetuesja e Tribunalit për Krime Lufte në Ish Jugosllavi (ICTY) Nevenka Tromp ka kritikuar aktgjykimin dënues të Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Një ditë pas këtij vendimi, ajo, në një intervistë për KosovaPress, ka folur për dimensionin njerëzor të dënimeve dhe pasojat politike të vendimit.

Po ashtu, Tromp ka diskutuar me gazetarin Besart Maloku edhe rolin e Thaçit në krijimin e Dhomave të Specializuara, bashkëpunimin e tij, shfrytëzimin që mund t’ia bëjë Serbia këtij aktgjykimi, procesin e apelit dhe çështje tjera.

Ajo ka preferuar që fillimisht të ndalet te përjetimi personal i katër të dënuarve. Sipas saj, drejtësia duhet të shihet para së gjithash në raport me individët.

“Para së gjithash, përshtypja ime e parë, duke e ndjekur leximin e aktgjykimit dhe shpalljen e vendimit, ishte se sa jashtëzakonisht e dhimbshme duhet të ketë qenë për katër të akuzuarit që ishin ulur aty duke dëgjuar dhe, në fund, duke e dëgjuar vendimin. Dhe ne gjithmonë duhet t’i kthehemi këtij dimensioni njerëzor, sepse, e dini, tani të gjithë po flasin me fjalë të mëdha: si ndikon kjo në Kosovë, si ndikon në marrëdhëniet me Serbinë? Por, në thelb, drejtësia është në radhë të parë dhe duhet parë në raport me individët”, ka thënë Tromp.

Ajo ka rikujtuar se tre prej tyre ishin studentë kur vendosën t’i bashkoheshin luftës. Për më tepër, ka theksuar se ata ndërprenë jetën që kishin dhe u kthyen për të luftuar në Kosovë. Sipas saj, ata mund të zgjidhnin një rrugë tjetër, por vendosën të sakrifikonin për vendin dhe familjet e tyre.

“Pra, shikojini këta katër njerëz. Tre prej tyre ishin studentë kur ndërprenë normalitetin e jetës së tyre, madje erdhën edhe nga jashtë, për të luftuar për vendin e tyre — madje jo vetëm për vendin e tyre, por për motrat dhe vëllezërit e tyre, për nënat dhe gratë e tyre. Dhe e bënë këtë kur kishin mundësinë të ktheheshin prapa dhe të bënin diçka tjetër. Pra, a mund ta imagjinoni të jeni në vijën e parë të luftës dhe, në fund, ta fitoni këtë luftë me gjithë botën, me vendet e NATO-s që ju mbështesnin? Dhe pastaj, pas luftës, filloni të punoni për shtetësinë e Kosovës dhe përfundoni duke paguar çmimin për zgjedhjet që i keni bërë si një i ri në të njëzetat. Pra, e gjithë jeta e tyre iu kushtua një kauze të madhe dhe ata sakrifikuan aq shumë në raport me familjet dhe fëmijët e tyre. Dhe tani përballen — sigurisht, kur bëhet fjalë për Thaçin dhe Jakup Krasniqin, i cili është pak më i moshuar se të tjerët — me 25 vjet burgim, që de facto është dënim i përjetshëm”, ka deklaruar ajo.

Tromp ka kritikuar disa prej deklaratave të kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith ndërsa e cilësoi ironik referimin që ia bëri aktgjykimit duke thënë se po e bënë atë “në emër të popullit të Kosovës”.

Ajo ka përmendur edhe protestat e qytetarëve, të cilët kundërshtuan vendimin e Dhomave të Specializuara.

“Për shembull, para së gjithash, e dini, kishte një lloj ironie kur thoshte se po e bëjnë këtë në emër të popullit të Kosovës, sepse kjo është një gjykatë e Kosovës, ndërkohë që përballë kishim demonstrata masive, të cilat mund t’i ndiqnim online, ku populli i Kosovës dhe një numër shumë i madh qytetarësh të Kosovës në thelb thoshin: ‘Jo, kjo nuk është një gjykatë në emrin tonë’. Pra, ai e përsërit këtë, gjë që ishte pothuajse ironike. Por niveli i dytë, që ishte mjaft shqetësues për mua, ishte kur ai tha se ky nuk është një aktgjykim kundër popullit të Kosovës, kundër luftës çlirimtare, kundër UÇK-së si organizatë”, ka thënë Tromp.

Ajo më pas ka ngritur pyetjen se si mund ta përcaktojë gjykata mënyrën e interpretimit të aktgjykimit, sidomos nga Serbia. Sipas Tromp, Beogradi zyrtar nuk e ka pranuar humbjen ushtarake dhe nuk ka hequr dorë nga pretendimet territoriale ndaj Kosovës.

Ajo ka paralajmëruar që Serbia do ta përdorë vendimin për ta vazhduar konfliktin me mjete juridike.

“Dhe unë thjesht pyes veten: çfarë ju jep juve, si gjyqtar, fuqinë të thoni se si do të interpretohet ky aktgjykim? A jeni në ndonjë kontakt me Vuçiqin për t’i thënë: ‘Hej, Aleksandar Vuçiq, President i Serbisë, mos e keqinterpreto ose mos i keqpërdor fjalët e drejtësisë për ta vazhduar luftën tuaj speciale kundër Kosovës’? Çfarë është lufta speciale e Serbisë kundër Kosovës? Serbia kurrë nuk e pranoi se ishte mposhtur ushtarakisht dhe Serbia kurrë nuk hoqi dorë nga pretendimet e saj territoriale, të paktën ndaj një pjese të Kosovës. Pra, çfarë do t’i thotë kjo gjykatë dhe ky gjyqtar Beogradit? Tani duhet ta pranoni dhe ta njihni pavarësinë e Kosovës? Jo. Serbia do ta përdorë këtë aktgjykim për të vazhduar diçka që unë e quaj ‘lawfare’ — përdorimin e ligjit si mjet lufte. Të njëjtin lloj konflikti që nuk arritën ta fitojnë, tani po përdorin argumente juridike për t’u kthyer dhe për t’i ringjallur aspiratat e tyre territoriale në Kosovë. Dhe këtë herë do ta kenë këtë aktgjykim për t’i bindur ndërkombëtarët që t’i lënë të qetë”, ka deklaruar ajo.

Tromp ka folur për rolin e Thaçit në krijimin e Dhomave të Specializuara.

Gjatë shqiptimit të vendimit, trupi gjykues e kishte përmendur këtë angazhim si rrethanë lehtësuese. Megjithatë, studiuesja ka thënë se dënimi prej 25 vjetësh përbën praktikisht burgim të përjetshëm.

“Dhe gjëja e tretë, jashtëzakonisht e rëndësishme dhe, sipas meje, shumë cinike dhe mizore që tha gjyqtari, ishte kur përmendi se kishte një rrethanë lehtësuese… Ai renditi disa arsye lehtësuese përse dënimi ndaj Presidentit Thaçi ishte më i ulët dhe njëra prej tyre ishte se Presidenti Thaçi kishte qenë instrumental në themelimin e kësaj gjykate. Pra, gjykata do të ishte më e butë ndaj tij. Ne ishim shumë kureshtarë se çfarë lloj butësie do të ishte kjo, dhe ‘butësia’ ishte de facto burgim i përjetshëm”, ka thënë Tromp.

Ajo më pas ka shpjeguar rrethanat politike në të cilat u themeluan Dhomat e Specializuara.

Sipas saj, Thaçi ishte përballur me presion të madh nga Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian.

Tromp ka kundërshtuar pretendimet se ai mund të kishte bërë ndonjë marrëveshje për të mos u akuzuar.

“E dini, kur Presidenti Thaçi u vu nën presion të jashtëzakonshëm nga miqtë më të mëdhenj të Kosovës në atë kohë — Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian — ai pothuajse nuk kishte zgjedhje, sepse u besonte miqve ndërkombëtarë të Kosovës. Por pasi ai… dhe ai e bëri këtë, e dini, në opinionin publik të Kosovës shpesh thuhet: ‘Oh, ka pasur ndonjë pazar, ai e bëri këtë dhe pastaj negocioi një lloj marrëveshjeje që të mos akuzohej’. Ne tani e dimë nga faktet se kjo është e pakuptimtë. Ajo që bëri Presidenti Thaçi në atë kohë ishte të merrte një vendim jashtëzakonisht të vështirë si burrë shteti. Dhe pse pranoi formimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës? Sepse ishte absolutisht i bindur, si burrë shteti, se nuk kishte zgjedhje tjetër, pasi besonte se kjo do ta përshpejtonte procesin e shtetësisë së Kosovës. Dhe këtë e bëri edhe duke e ditur se gjasat që ai vetë të akuzohej ishin shumë, shumë të larta. Por e dini pse e bëri? Sepse si burrë shteti, përkundër interesit personal të Thaçit, ai natyrisht zgjodhi përsëri Kosovën”, ka theksuar Tromp.

Në këtë kontekst, Tromp foli edhe bashkëpunimin e Thaçit me organet e drejtësisë. Sipas saj, ish presidenti i Kosovës kishte të drejtë të heshtte, por vendosi t’u përgjigjej pyetjeve të Prokurorisë. Ajo e ka lidhur këtë vendim me synimin e Kosovës për t’u bërë pjesë e familjes së shteteve demokratike.

“Por pasi u akuzua, e dini çfarë bëri? Bashkëpunoi. Pse bashkëpunoi? Sepse pasi Kosova e fitoi luftën ndaj Serbisë, Kosova u bë dhe dëshironte të bëhej pjesë e kësaj familjeje demokratike të shteteve të botës dhe ta zhvillonte Kosovën si një demokraci liberale. Prandaj, ai nuk mund ta refuzonte një nga shtyllat kaq të rëndësishme të demokracisë liberale, dhe kjo është sistemi ndërkombëtar i drejtësisë penale. Si mund ta bënte këtë? Si mundej që, nga njëra anë, të ndiqte këtë rrugë drejt liberalizmit dhe demokracisë dhe, nga ana tjetër, të thoshte: ‘Jo, jo, por pa drejtësi penale ndërkombëtare’? Pra, çfarë ndodhi? Edhe kur u akuzua, ai bashkëpunoi. Ai mund të kishte heshtur, sepse çdo i dyshuar ka të drejtën të heshtë dhe t’ia lërë prokurorisë të gjithë barrën e provës. Por çfarë bëri Presidenti Thaçi? Ende duke qenë president, ende para se të akuzohej, ai bashkëpunoi. Dha një numër intervistash për prokurorinë”, është shprehur ajo.

Tromp ka folur edhe për apelimin e verdiktit të Dhomave të Specializuara. Ajo u shpreh e bindur se kjo duhet të bëhet, por ka paralajmëruar një proces të gjatë.

“E kam parë përmbajtjen e aktgjykimit vetëm në formën e përmbledhjes, kështu që të gjithë do të duhet ta lexojmë aktgjykimin e plotë. Apeli është i domosdoshëm, apeli do të ndodhë. Dhe, ndryshe nga ICTY-ja dhe ICC-ja, Kosova nuk është në një pozitë aq të keqe kur bëhet fjalë edhe për trajtimin e vendimit të apelit, sepse Gjykata Kushtetuese e Kosovës do ta ketë fjalën e fundit. Por është një rrugë e gjatë, një periudhë e gjatë kohore. Pra, këta njerëz tashmë kanë kaluar 6 vjet në paraburgim dhe tani përballen me një dënim prej 25 vjetësh. Në 5 vitet e ardhshme mund të arrijmë në një lloj përfundimi, por jeta e tyre… funksionet e tyre brenda shoqërisë kosovare tashmë janë minimizuar, janë reduktuar në asgjë. Ata tani janë vendosur në një pozitë ku mund të shndërrohen në martirë, dhe Kosovës nuk i duhen më shumë martirë. Kosova la aq shumë martirë në fushat ku luftohej kundër agresionit serb. Kosovës i duhen njerëz të aftë dhe me përvojë për ta bërë një punë shumë të vështirë për Kosovën: të vazhdojnë ndërtimin e institucioneve shtetërore dhe forcimin e pavarësisë së shtetit të Kosovës”, ka deklaruar Tromp.

Tromp e ka pranuar se procesi i gjatë gjyqësor tashmë e ka zvogëluar në minimum rolin e katër ish-krerëve të UÇK-së brenda shoqërisë kosovare.

ShareTweet

Postime të ngjashme

A mund të zhbëhet Gjykata Speciale? – Flasin juristët

A mund të zhbëhet Gjykata Speciale? – Flasin juristët

Ibishi: Aktgjykimi ndaj krerëve të UÇK-së ishte shokues, pres lirime në Apel

Ibishi: Aktgjykimi ndaj krerëve të UÇK-së ishte shokues, pres lirime në Apel

Ukshini pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së: PDK dhe LVV të bëjnë marrëveshje, Kosova të fokusohet te Apeli

Ukshini pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së: PDK dhe LVV të bëjnë marrëveshje, Kosova të fokusohet te Apeli

Kërkohet vazhdimi i paraburgimit për Thaçin në rastin kundër administrimit të drejtësisë

Hashim Thaçi falënderon qytetarët për mbështetjen e jashtëzakonshme, bën thirrje për qetësi

A mund të zhbëhet Gjykata Speciale? – Flasin juristët

A mund të zhbëhet Gjykata Speciale? – Flasin juristët

Ibishi: Aktgjykimi ndaj krerëve të UÇK-së ishte shokues, pres lirime në Apel

Ibishi: Aktgjykimi ndaj krerëve të UÇK-së ishte shokues, pres lirime në Apel

Ukshini pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së: PDK dhe LVV të bëjnë marrëveshje, Kosova të fokusohet te Apeli

Ukshini pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së: PDK dhe LVV të bëjnë marrëveshje, Kosova të fokusohet te Apeli

Kërkohet vazhdimi i paraburgimit për Thaçin në rastin kundër administrimit të drejtësisë

Hashim Thaçi falënderon qytetarët për mbështetjen e jashtëzakonshme, bën thirrje për qetësi

Diaspora shqiptare proteston në Times Square,kërkon liri për ish-krerët e UÇK-së

Diaspora shqiptare proteston në Times Square,kërkon liri për ish-krerët e UÇK-së

​OVL-UÇK krijoi platformën: Ndër prioritete debati institucional për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale

​OVL-UÇK krijoi platformën: Ndër prioritete debati institucional për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale

Reagon kryembrojtësi i Thaçit, Luka Misetic: Mbrojtja do të dorëzojë zyrtarisht njoftimin e apelit për të korrigjuar këto gabime faktike

Reagon kryembrojtësi i Thaçit, Luka Misetic: Mbrojtja do të dorëzojë zyrtarisht njoftimin e apelit për të korrigjuar këto gabime faktike

Facebook Youtube Instagram TikTok

TËVË 1

Ky portal mirëmbahet nga televizioni “Tëvë1”. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të “Tëvë1”. Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t’i pranoni kushtet e përdorimit.
  • LAJMET
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • OPINIONE

Social Media

© 2022 - 2026 TËVË 1 - lexoje tëvërtetën

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In

Add New Playlist

No Result
View All Result
  • LAJMET
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • OPINIONE

© 2022 - 2026 TËVË 1 - lexoje tëvërtetën