Për mbi 1 orë e gjysmë qëndruan në mbledhje të kryesisë, organizatat e dala nga lufta.
Në takim, temë kryesore ishte aktgjykimi i djeshëm ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Prandaj, që në fillim të konferencës, u paralajmërua një nismë e re për kundërshtimin e dënimit.
“Do t’i përgjigjemi me një iniciativë për krijimin e një këshilli koordinues kombëtar dhe të një platforme ku do të përfshihen edhe Shqipëria, por edhe shqiptarët e tjerë që jetojnë në viset e tjera, qoftë Mali i Zi, qoftë Lugina e Preshevës, por edhe nga mërgata jonë. Po ashtu do të kërkojmë krijimin e një strategjie kundërshtuese ndaj këtij vendimi deri në përfundim të procesit të apelit”, ka thënë nënkryetari i OVL- UÇK-së, Gazmend Syla.
Por, krahas kësaj nisme, nga mbledhja doli edhe një vendim tjetër.
Nesër, në ora 12:00, organizatat presin qytetarët në sheshin Skënderbeu për protestë.
“Morëm vendim që të thërrasim protestë gjithëpopullore nesër në ora 12:00 në sheshin Skënderbeu…”, ka deklaruar tutje Syla.
E dënimi i katërshes drejtuese të luftës me 81 vite burgim, Xhavit Jashari nga Familjet e Dëshmorëve, thotë se shkakton pasoja përtej figurave të UÇK-së.
“Jo vetëm që goditi figurat, por goditi luftën e UÇK-së, goditi rëndë edhe vetë shtetësinë e Kosovës. Organizatat e dala nga lufta qëndrojnë fort në vendimet dhe qëndrimet e tyre, që nga fillimi, kur e kemi kundërshtuar një gjykatë të tillë. Por, për të mos i përsëritur gjërat, unë, si udhëheqës i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, do t’u bëja thirrje edhe familjeve që të reagojnë”, u shpreh kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari.
E protesta e nesërme, sipas organizatorëve, synon të mbledhë veteranë, familje të dëshmorëve, invalidë dhe qytetarë.
“Ta kundërshtojmë këtë vendim dhe këtë gjykatë të turpshme, që me të vërtetë e tregoi fytyrën e vet. Prej fillimit e ka treguar, por dje me të vërtetë tregoi që kjo gjykatë ka qenë vetëm në shërbim të Serbisë dhe të Rusisë dhe disa elementeve destruktive” tha kryetari i Shoqatës së invalidëvë, Fadil Shurdhaj.
Përveç protestës së nesërme, u theksua se anëtarë të këtyre organizatave do t’u bashkohen edhe sonte qytetarëve në sheshet e Prishtinës.






