Me optimizëm filloi, por si e tillë nuk përfundoi.
Në sheshin “Skënderbeu” në kryeqytet, shumë qytetarë nga tërë Kosova u mblodhën për ta pritur vendimin për katërshen e UÇK-së.
E kur minutat kaluan dhe seanca pritej të fillonte, publiku njëzëri brohoriti emrin e UÇK-së.
Pas leximit të secilës pikë të aktakuzës, qytetarët reagonin.
Por më me eufori prisnin pikat që, sipas tyre, mund ta sillnin lirimin.
Këta të fundit po ndiznin edhe tymuese
Ashtu siç edhe pritej, akuzat që Prokuroria i konsideroi të vërtetuara u pritën me vërshëllima ose me heshtje totale.
Por pas shqiptimit të dënimeve, që në total arritën në 81 vjet, për të gjithë situata nisi të përkeqësohej.
Qytetarët po ngushëllonin njëri-tjetrin.
E vendimi u shoqërua me reagime të ashpra dhe emocione të forta.
“M’kanë lshu edhe kambët, m’falni, por nuk muj me folë. Unë gjykatë ma kriminale nuk kam pa. Turp për atë trup gjykues aty. Qe as Millosheviqi nuk u dënua kaq rëndë, pashë Zotin. A ma shumë ka bo krime Millosheviqi me gjithë ushtrinë e tij paramilitare kriminale, që edhe fëmijët i kanë nxjerrë në barkë të nënës me thika”, tha një qytetar.
E disa qytetarë të tjerë të turpshëm po e quanin vendimin e gjykatës së Hagës.
“Qysh mundeni lirinë me e gëzu, kurse ma e shtrenjta për neve na ka mundësu me gëzu lirinë, këtu me jetu sot. Domethënë, ka shqipfolës që janë në mbështetje të serbëve, në mbështetje të shpijunave të Serbisë, në mbështetje të antishqiptarëve, që shkojnë në Hagë… As ky shtet nuk ish ba Ushtrinë Çlirimtare”.
“E shoh dhe e ndjej shumë të dhimbshme dhe të turpshme me u dënu për hierarki ushtarake krerët e UÇK-së. Krejt bota e din që UÇK-ja nuk ka qenë ushtri e rregullt, ka qenë ushtri e dalur nga populli. Unë i kam dy anëtarë të familjes të vrarë, unë i kam dy dëshmorë në familje dhe askush nuk gjykohet për krime. Serbia ka bo krime”.
E për disa të tjerë ky vendim ishte I manipuluar.
“Këtë gjykatë, falsisht që e kanë emëru si Gjykatë të Kosovës, kjo gjykatë nuk është e Kosovës. Është e porositur politikisht. Të gjithë krerët e UÇK-së janë marrë me urdhër politik, janë mbajtë që 6 vite padrejtësisht, me urdhra politikë”.
“E papranueshme, e padrejtë. Gjithçka është e manipuluar, si prej njerëzve tanë, si prej armikut. Nuk na kanë ra neve shokët kot. Shokët më të mirë i kena të vrarë”.
Kësisoj, protestuesit marshuan nëpër sheshet e Prishtinës.
Brohoritjet për UÇK-në nuk munguan.
E ata nuk harruan ta thërrasin edhe emrin e ish-presidentit Hashim Thaçi.
Këta të fundit nuk u ndalën.
Marshimin e vazhduan rrugëve të kryeqytetit.






