Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Vlora Çitaku, ka reaguar pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Përmes një postimi në Facebook, Çitaku ka kritikuar reagimet e aleatëve ndërkombëtarë të Kosovës, të cilët, sipas saj, kanë bërë thirrje që vendimi të pranohet duke theksuar se ekziston mundësia e apelimit.
“Paskan filluar të reagojnë aleatët historikë të Hashim Thaçit. Ata me të cilët ai punoi që nga dita e parë. Ata me të cilët, bashkë, arritëm shumë suksese e momente historike”, ka shkruar Çitaku.
Ajo ka thënë se për Kosovën, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi nuk janë thjesht figura të një periudhe të kaluar, por pjesë e historisë së vendit.
“Për ne, ata janë pjesë e historisë sonë. Janë pjesë e themeleve mbi të cilat është ngritur shteti ynë. Janë njerëzit me të cilët lidhet një prej kapitujve më të rëndësishëm të lirisë së Kosovës”, ka deklaruar ajo.
Çitaku ka theksuar se nuk e pranon vendimin dhe se, sipas saj, ai do të kundërshtohet përmes rrugëve të mëtejshme.
“Prandaj, shumë faleminderit për këshillat. Por jo. Ne nuk e pranojmë këtë vendim. Do ta kundërshtojmë. Do të rezistojmë. Deri në fund. Deri në liri”, ka shkruar Çitaku./teve1.info/







