Zëvendëskryeministri dhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç, ka reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.
Daçiç e ka cilësuar vendimin si konfirmim të pretendimeve të Serbisë për UÇK-në, ndërsa ka kritikuar në veçanti faktin që katër të akuzuarit u liruan nga akuzat për krime kundër njerëzimit.
“Rrëzimi i akuzave për krime kundër njerëzimit, manovër politike. Vendimi minimizon vuajtjet e viktimave serbe. Dënimet nuk janë të mjaftueshme për familjet e viktimave”, ka deklaruar Daçiç.
Megjithatë, Dhomat e Specializuara i kanë gjykuar katër ish-krerët e UÇK-së mbi bazën e përgjegjësisë së tyre penale individuale. Ata janë shpallur fajtorë për disa krime lufte, ndërsa janë liruar nga akuzat për krime kundër njerëzimit.
Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi janë dënuar me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.
Në reagimin e tij, Daçiç ka thënë gjithashtu se aktgjykimi dëshmon, sipas tij, se UÇK-ja ishte “organizatë kriminale dhe terroriste” dhe se udhëheqësit e saj politikë e ushtarakë mbanin përgjegjësi për krime gjatë luftës në Kosovë.
Deklarata e tij vjen pasi gjykata nuk i shpalli të akuzuarit fajtorë për krime kundër njerëzimit, por vetëm për përgjegjësi individuale për krimet për të cilat u dënuan.







