Pierre Richard Prosper, pjesë e ekipit mbrojtës të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës Speciale, e cila e dënoi Thaçin me 25 vjet burgim.
Prosper e ka cilësuar aktgjykimin si një shkelje të drejtësisë dhe ka deklaruar se mbrojtja beson se vendimi ishte i paracaktuar.
“Sot dëshmuam një shkelje të drejtësisë. Është e qartë për mua dhe për ne se vendimi ishte i paracaktuar”, ka deklaruar Prosper.
Ai iu referua edhe dëshmive të figurave ndërkombëtare që ishin të përfshira në proceset diplomatike dhe ushtarake gjatë luftës në Kosovë, duke përmendur gjeneralin Wesley Clark, Jamie Rubin dhe Chris Hill.
Sipas tij, dëshmitë e tyre kanë paraqitur një pasqyrë tjetër për rolin e Thaçit gjatë luftës.
“Në Tribunalin e Hagës kemi parë histori. Kemi parë gjeneralin Clark, Jamie Rubin, Chris Hill dhe njerëzit që ishin atje dhe ndanë eksperiencën e tyre me ne. Ata e bënë të qartë se Thaçi nuk ishte në krye. Por ajo që dëgjuam sot është se Gjykata rishkroi historinë”, tha avokati.
Prosper kritikoi edhe konstatimet lidhur me UÇK-në dhe raportin e saj me NATO-n.
“Ata po thonë që NATO bëri partneritet të qëllimshëm me një ‘ndërmarrje kriminale’”, shtoi ai.
Në fund, avokati i Thaçit bëri të qartë se mbrojtja nuk e konsideron të përfunduar procesin ligjor, duke theksuar se “lufta për drejtësi do të vazhdojë”.







