Sot duken të qeta.
Por, këto male të Kaçandollit, 28 vjet më parë, u bënë fushëbetejë.
Për tri ditë rresht, këtu u zhvilluan luftime mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe.
Ndër të rënët, më i moshuari është Ilaz Hyseni, asokohe 83 vjeçar.
Për djalin e tij, Ruzhdiun, kujtimi i betejës rikthen çdo herë kujtimet e humbjes së babait.
“Kjo ofenzivë që është bërë atëkohë, nuk harrohet. Këtu kanë marrë pjesë edhe ofenziva e Shalës, e Llapit, edhe na kanë vrarë shokë. Ka qenë ofenzivë shumë e fuqishme, e fortë. Cka me bë, Zoti i bëftë rahmet shpirtit të tyre. Ne i kujtojmë edhe s’i harrojmë kurrë.Unë e kam humbur babën edhe kushërinj, djalin e motrës”, u shpreh Hyseni.
Në 15 shtatorin e vitit 1998 shumë familje u detyruan të largohen nga shtëpitë.
Në mesin e tyre ishte edhe familja e Alban Zekës
“Ne si familje kemi qenë larg shtëpisë për shkak se aty afër shtëpisë ka qenë një postbllok i policisë serbe. Aty patën stacionuar policia dhe të gjithë familjet që kemi qenë afër patëm larguar atë ditë sepse veç pamë që diçka po ndodh. Kemi qenë të strehuar tek dajët dhe pas një jave kemi marë lajmin e hidhur që Habibi më s’është në jetë, ka rënë dëshmor së bashku me të tjerët që gjithsej janë 14 dëshmorë”, ka thënë Zeka.
Ndërkohë, në vijën e Kaçandollit luftimet vazhduan për tri ditë.
Pjesë e tyre, si ushtar i UÇK-së, ishte edhe Feriz Statovci.
“Ka qenë një betejë mjaft e pabarabartë me forcat serbe, por ne ja dolëm. Për tri ditë… tri ditë rresht i ndalëm këtu në vijën e Kaçanollit. Na ranë shokët, dëshmorë për mos me u harruar kurrë për lirinë e Kosovës, por emocionet janë sot në ditën e sotit kur i kujtoj, edhe t’i i rrah jetës e zemrës tepër shumë se na mungojnë shokët vetëm këtu në lapidar i shoh”, u shpreh Statovci.
Kujtime nga beteja e Kaçandollit, ka edhe komandant Remi.
“Në këtë kohë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës fitoi pas vete gjithë popullatën shaljane, Llapit edhe Gollakut. Mori me vete jo vetëm në organizim, por në gjithçka çka i duhet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe popullatës në përgjithësi. Gjithë kjo betejë janë të merituara t’i falemi gjakut të dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që ranë jo vetëm në Kaçanoll, por në gjithë vendin mbarë në Kosovë”, ka deklaruar komandant Remi.
Madje, Rafet Llapashtica nga OVL-UÇK, thotë se kjo ishte përballja e parë frontale e Zonës Operative të Llapit me forcat serbe.
“Më 15 shtator ’98, Zona Operative e Llapit u përball me betejën e parë frontale me ushtrinë dhe policinë kriminale të shtetit të Serbisë. Nëndrejtimin e udhëheqësve tanë të zonës dhe me luftën heroike të ushtarëve, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte ajo e cila e theu krenarinë dhe mitin e Serbisë në këtë betejë dhe e kthye këtë krenari te populli ynë përmes luftës së pandalshme disa ditore dhe me jetë të dhëna”, tha Llapashtica.
Në fund të ceromonisë homazhe u bënë edhe tek lapidari.






