Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), në partneritet me Fondacionin Evropian për Trajnime (ETF) dhe Drejtorinë e Përgjithshme për Arsim, Rini, Sport dhe Kulturë të Komisionit Evropian (DG EAC), ka nisur studimin mbi kompetencën digjitale të mësimdhënësve në Republikën e Kosovës.
Studimi do të realizohet përmes instrumentit SELFIE for TEACHERS, një platformë online e Komisionit Evropian, e bazuar në Kornizën Evropiane për Kompetencën Digjitale të Edukatorëve (DigCompEdu).
Sipas MASH-it, instrumenti nuk ka për qëllim vlerësimin e performancës së mësimdhënësve, por vetëreflektimin, zhvillimin profesional dhe përmirësimin e vazhdueshëm të praktikës mësimore.
Në takimin inaugurues, zëvendësministri i Arsimit, Përparim Kryeziu, theksoi rëndësinë e forcimit të kompetencave digjitale të mësimdhënësve dhe përdorimit të të dhënave për orientimin e politikave arsimore dhe zhvillimin profesional.
Kryeziu tha se bashkëpunimi me institucionet evropiane paraqet një hap konkret drejt përafrimit të Kosovës me standardet dhe praktikat evropiane në arsim. Sipas tij, transformimi digjital nuk lidhet vetëm me teknologjinë, por mbi të gjitha me fuqizimin e mësimdhënësve.
Në kuadër të studimit synohet përfshirja e një grupi përfaqësues të mësimdhënësve nga arsimi fillor, arsimi i mesëm i ulët dhe arsimi i mesëm i lartë, përfshirë edhe arsimin dhe aftësimin profesional.
Përmes procesit të vetëreflektimit do të mblidhen të dhëna mbi kompetencat digjitale të mësimdhënësve, me qëllim identifikimin e nevojave dhe orientimin e mbështetjes së mëtejshme profesionale.
Eksperti i ETF-së, Alessandro Brolpito, prezantoi metodologjinë dhe objektivat e studimit, ndërsa përfaqësues të MASH-it dhe Universitetit të Prishtinës prezantuan zhvillimet në fushën e digjitalizimit dhe pedagogjisë digjitale në Kosovë.
Secili mësimdhënës i përzgjedhur për studim do të marrë një ftesë të personalizuar për pjesëmarrje.
Instrumenti do të jetë i hapur për plotësim për 21 ditë nga momenti i pranimit të ftesës.
MASH ka bërë të ditur se të dhënat do të mblidhen dhe trajtohen në mënyrë anonime, në përputhje me kërkesat për mbrojtjen e të dhënave personale, përfshirë GDPR-në dhe legjislacionin e Kosovës.
Rezultatet e studimit pritet të shërbejnë si bazë për identifikimin e nevojave të mësimdhënësve, hartimin e politikave të bazuara në të dhëna dhe planifikimin e masave të reja për zhvillimin e kompetencave digjitale në sistemin arsimor të Kosovës.











