Kongresisti amerikan Keith Self ka shprehur shqetësimin e tij se paragjykimet politike mund të ndikojnë në vendimmarrjen e Dhomave të Specializuara në Hagë, të mërkurën, më 16 shtator.
Ai ka thënë se shpreson që një ndikim i tillë të mos shfaqet nesër, kur pritet vendimi në procesin gjyqësor ndaj ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe 3 ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Një temë e vazhdueshme që po shfaqet nga Haga duket se është lejimi i paragjykimeve politike që të ndikojnë në vendimet e saj. Shpresoj që një paragjykim i tillë të mos shfaqet këtë javë, kur të merret vendimi në gjykimin ndaj Hashim Thaçit dhe 3 civilëve shqiptarë, të cilët luftuan për pavarësi pas shumë vjetësh shtypjeje serbe. Ballkani është një fuçi baruti në një rajon ku regjimet shtypëse nuk dëshirojnë asgjë më shumë sesa të nxisin flakët e përçarjes, në vend që të punojnë drejt pajtimit”, ka shkruar Self në platformën “X”.
Keith Self është kongresist republikan amerikan nga Teksasi dhe kryetar i Nënkomisionit për Evropën në Komisionin për Punë të Jashtme të Kongresit. Ai ka shërbyer për 25 vjet në ushtrinë amerikane dhe ka përvojë me çështjet e sigurisë në Ballkan.
Në prill 2026, Self paraqiti një rezolutë në mbështetje të integrimit të Kosovës në NATO. Ai ka vizituar Kosovën dhe Luginën e Preshevës dhe është interesuar për sigurinë rajonale dhe të drejtat e shqiptarëve.







