Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas vendimit të Bekim Sejdiut për t’u tërhequr nga kandidatura për president të Republikës së Kosovës.
Osmani e ka falënderuar Sejdiun për gatishmërinë për t’i shërbyer vendit, si dhe për dinjitetin që, sipas saj, ai tregoi gjatë gjithë procesit.
Përmes një reagimi në Facebook, Osmani ka kritikuar edhe mënyrën se si është zhvilluar procesi për zgjedhjen e presidentit, duke thënë se politika kosovare humbi një tjetër mundësi për të dëshmuar se mund të ndërtojë konsensus rreth njerëzve me dije, integritet dhe dinjitet.
“Bekim Sejdiu meriton falënderim.Jo vetëm për gatishmërinë për t’i shërbyer vendit, por edhe për mënyrën se si e përballoi një proces ku personalja shpesh u vendos mbi institucionalen. Ndoshta pikërisht këtu qëndron humbja jonë më e madhe: jo vetëm që nuk arritëm të zgjedhim Presidentin, por humbëm edhe një tjetër mundësi për të treguar se në Kosovë mund të ndërtojmë konsensus rreth njerëzve me dije, integritet dhe dinjitet.Politika kalon. Fushatat mbarojnë. Zgjedhjet përsëriten. Por mënyra se si një njeri sillet kur vihet në sprovë, mbetet.Dhe ndonjëherë, edhe kur një përpjekje politike nuk përfundon me sukses, ajo lë pas diçka më të rëndësishme: një dëshmi të karakterit.Prandaj, faleminderit Bekim, për gatishmërinë për t’i shërbyer Republikës dhe për dinjitetin që tregove deri në fund”, ka shkruar Osmani.
Ndryshe, Bekim Sejdiu ka njoftuar se është tërhequr nga kandidatura për president të Kosovës për shkak të, siç tha, mungesës së nevojshme të deputetëve për zgjedhjen e tij.
Ai tha se për këtë vendim e ka njoftuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, parti që e propozuan si kandidat të përbashkët për president.
“Në rrethanat e krijuara, të karakterizuara nga mungesa e mbështetjes së nevojshme parlamentare për zgjedhjen time si presidentit dhe nga devijimi i tërë procesit në vorbullën e dinamikave dhe përplasjeve të brendshme politike, kam vendosur të tërhiqem nga kandidatura për president të Republikës së Kosovës”, shkroi ai në Facebook.
Më 31 gusht, LVV-ja dhe LDK-ja njoftuan se ishin pajtuar që Sejdiu ishte kandidat i përbashkët për president, pas një sërë rundesh të negociatave./teve1.info/







