Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se e ka përjashtuar nga fjala në forumin “Road to 2030: Kosovo on the Mediterranean Stage”, të organizuar nga European Investors Council (EIC).
Përmes një postimi në Facebook, Rama ka thënë se, sipas organizatorëve, përjashtimi i tij nga paneli i folësve është bërë me kërkesë direkte të Ministrisë së Sportit.
Ai e ka cilësuar këtë si vendim politik dhe presion ndaj organizatorëve, duke theksuar se Prishtina është qyteti nikoqir i Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.
“Prishtina është qyteti nikoqir i ‘Lojërave Mesdhetare 2030’. Megjithatë, në forumin ‘Road to 2030: Kosovo on the Mediterranean Stage’, të organizuar pikërisht për rrugën drejt vitit 2030, nga European Investors Council (EIC), unë si Kryetar i Prishtinës përjashtohem nga fjala, sipas organizatorëve, me kërkesë direkte të Ministrisë së Sportit”, ka shkruar Rama.
Sipas tij, kjo nuk mund të konsiderohet vetëm si gafë protokollare, por si një veprim politik.
“Kjo nuk është gafë protokollare. Është vendim politik dhe është presion ndaj organizatorëve!”, ka deklaruar ai.
Rama ka kritikuar mënyrën e organizimit të forumit, duke thënë se një aktivitet i tillë, që synon koordinimin, partneritetin dhe tërheqjen e investimeve, nuk duhet të shoqërohet me përjashtime politike.
“Ironikisht ky forum është i organizuar për koordinim, partneritet dhe investime”, ka shkruar ai.
Kryetari i Prishtinës ka akuzuar Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti për, siç e ka quajtur ai, “kontroll politik” edhe mbi projekte me karakter ndërkombëtar.
“Ky është mentaliteti qeverisës i Albin Kurtit, ku edhe një projekt i përmasave ndërkombëtare tentohet të filtrohet përmes interesit partiak dhe kontrollit politik”, ka shkruar Rama.
Ai ka vlerësuar se përjashtimi i kryetarit të qytetit nikoqir nga një forum kushtuar organizimit të Lojërave Mesdhetare është institucionalisht absurd.
“Të organizosh forum për Prishtina 2030 dhe të kërkosh përjashtimin e Kryetarit të Prishtinës nga fjala është institucionalisht absurd dhe politikisht simptomatik”, ka deklaruar Rama.
Në fund, Rama ka thënë se pavarësisht këtyre veprimeve, projekti “Prishtina 2030” është më i madh se interesat politike.
“Albin Kurti mund ta kontrollojë listën e folësve, por Prishtina 2030, fatmirësisht, është shumë më e madhe se lista e tij, komplekset e tij dhe deficitet e tij personale”, ka përfunduar Rama.




