Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje do ta votojë një deputet të Partisë Demokratike të Kosovës për nënkryetar të Kuvendit, ndërsa ka kërkuar që emrat e kandidatëve të sqarohen në takimet ndërmjet partive.
Kurti ka thënë se deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, vitin e kaluar kishte kërkuar tërheqjen e Albulena Haxhiut, ndërsa sivjet kishte kërkuar tërheqjen e Feride Rushitit.
Ai ka përmendur edhe bojkotimin e votimit për Albulena Haxhiun si kryetare të Kuvendit dhe paralajmërimin e Çitakut për bojkotimin e zgjedhjes së presidentit.
“Po e përsëris atë çfarë tashmë e ka thënë shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, e kjo është që ne medoemos një deputet të PDK-së do ta votojmë për nënkryetar të Kuvendit. Ne medoemos një deputet ose deputete të LDK-së do ta votojmë për nënkryetar të Kuvendit”, ka deklaruar Kurti.
Ai është shprehur se, bazuar në një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese të vitit të kaluar, nuk është e domosdoshme që të votohet ekskluzivisht një emër i caktuar për këto pozita.
“Në këtë kuptim uroj që ashtu siç kemi qenë ne konstruktivë në vitin e kaluar, të jenë edhe të tjerët, por më së miri do të ishte që këto të sqaroheshin në takimet e përbashkëta”, ka thënë Kurti.
Kurti ka bërë të ditur se një takim me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamzën, do të mundësonte sqarimin e emrave të deputetëve të kësaj partie që mund të mbështeteshin nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Pra në një takim timin me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamzën, do ta sqaronim se cilët deputetë të PDK-së do të mund të votoheshin nga Lëvizja Vetëvendosje dhe në këtë mënyrë ta ketë PDK-ja nënkryetarin e Kuvendit”, ka deklaruar Kurti./rtk







