Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka deklaruar se partia e saj nuk e ka kontestuar vullnetin e deputetëve për të votuar ose jo kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit nga partitë opozitare.
Ajo ka theksuar se qëndrimi i LDK-së është që e drejta për të propozuar nënkryetarin i takon ekskluzivisht subjektit politik përkatës.
“Në emër të LDK-së ne nuk e kontestuam vullnetin e asnjë deputeti të Kuvendit të Kosovës, për të përkrahur apo mos të përkrahur një nënkryetar nga partitë opozitare. Por gjithsesi besojmë thellë se propozimi ynë për nënkryetar i takon ekskluzivisht partisë”, u shpreh Lushaku-Sadriu.
Sipas saj, LDK-ja ka vendosur që gjatë votimit individual t’i mbështesë kandidatët e propozuar nga grupet parlamentare, për sa kohë që ata nuk kanë probleme ligjore.
“Ne në votimin individual për secilin nënkryetar, morëm vendim që t’i përkrahim propozimet e GP-ve, të cilët janë propozime të partive politike dhe nuk kanë problem me ligjin”, tha ajo.
Sa i përket vazhdimit të seancës konstituive, Lushaku-Sadriu tha se pret që pas konsultimeve deputetët të rikthehen në sallë dhe të vazhdojnë procesin e konstituimit të Kuvendit.
“Pres që pas konsultimeve dhe ndërprerjes, të kthehemi në seancë dhe ta vazhdojmë me konstituimin. Dua të them edhe një herë që nuk ka dyshim që konstituimi është tepër i rëndësishëm”, deklaroi deputetja e LDK-së.
Ajo ka vlerësuar se Kosova ndodhet në një periudhë të rëndësishme dhe se institucionet duhet të funksionalizohen sa më shpejt, pas një periudhe të gjatë të mungesës së funksionalizimit të plotë institucional.
“Jemi në një periudhë shumë të rëndësishme historike dhe institucionet, pas një mungese kaq të gjatë, duhet të kthehen dhe të bëhen funksionale”, tha Lushaku-Sadriu.







