Ka nisur seanca konstituive e Legjislaturës së 11-të të Kuvendit të Kosovës, e cila ka për pikë të vetme të rendit të ditës zgjedhjen e nënkryetarëve.
Seanca e sotme ka nisur me vonesë, ndërsa zgjedhja e pesë nënkryetarëve pritet të përmbyllë procesin e konstituimit të Kuvendit.
Për pesë pozitat e nënkryetarëve tashmë janë bërë propozimet nga subjektet politike dhe komunitetet joshumicë.
Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Ardian Golën, Partia Demokratike e Kosovës Vlora Çitakun, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës Kujtim Shalën.
Nga radhët e komunitetit serb, Lista Serbe ka propozuar Slavko Simiqin, ndërsa për komunitetet e tjera joshumicë është propozuar Emilia Rexhepi.
Në vazhdimin e seancës të mbajtur të mërkurën, Albulena Haxhiu u zgjodh kryetare e Kuvendit të Kosovës, me 62 vota për, 16 kundër dhe 13 abstenime, nga 102 deputetë të pranishëm.
Pas zgjedhjes së Haxhiut, Kuvendi kaloi te pika për zgjedhjen e nënkryetarëve, por subjektet politike nuk arritën marrëveshje për mënyrën e votimit të tyre.
Në mungesë të dakordimit, Haxhiu ndërpreu punimet dhe njoftoi se seanca konstituive do të vazhdonte sot.
Zgjedhja e nënkryetarëve mbetet hapi i fundit për përfundimin e procesit të konstituimit të Legjislaturës së 11-të të Kuvendit të Kosovës.






