Qarkullimin e nisi këtë të mërkurë.
Është ky autobusi i linjës 4 në kryeqytet, me ngjyrën rozë dhe i brenduar me logon ‘’Race for the Cure’’.
Edhe këtë vit është bërë pjesë e fushatës me qëllim që të ndërgjegjësojë qytetarët për kancerin e gjirit.
Krejt kjo po bëhet që të rritet numri i qytetarëve për bërjen e mamografisë.
Ndonëse muaji tetor shënohet në gjithë botën si muaj i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, nga Drejtoria e Shëndetësisë në Prishtinë thonë se thirrjet për mamografi i kanë nisur më herët.
E pagesa për to është falas, jo vetëm në tetor, por gjatë tërë vitit.
“Ne këtë vit kemi fillu herët, kemi fillu me prezantimin e autobusit për me u bë thirrje qytetarëve, grave mbi moshën 40-vjeçare, në mënyrë që të realizojnë mamografi në 3 qendra, në QKMF në Ulpianë, Dardani por edhe në Veternik e kemi mamografin më të ri”, ka thënë Gashi.
Edhe kryetari i komunës së Prishtinës ka një mesazh për të gjitha gratë.
“Të gjithë duhet që ta bëjmë pjesë të jetës sonë qasjen tek institucionet shëndetësore për me i bo kontrollet në mënyrë të rregullt, për të parë a kemi probleme apo për të parandalu dhe si rezultat e kemi organizu si çdo vit edhe këtë vit muajin e ndërgjegjësisë së bashku edhe me ekipet e kryeqytetit dhe organizatat jo qeveritare që na u kanë bashkëngjit”, tha kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama.
Kësaj fushate iu bashkuan edhe nga Trafiku urban në kryeqytet.
“Kjo është më e pakta që mundemi me bë për një iniciativë të tillë, muaji tetor në një farë mënyre na kujton për një kontroll me të hershme pasi ajo bën diferencën, dhe ne duhet të flasim me njëra tjetrën, të solidarizohemi edhe të ndërgjegjësohemi”, ka deklaruar drejtoresha Financiare në Trafikun Urban, Shukrije Morina.
E shoferja e këtij autobusi, e cila e bënë këtë punë që 8 vite thotë që për të është kënaqësi që për herën e parë po merr pjesë në një organizim të tillë.
“Për mu është hera e parë që marr pjesë në sensibilizimin, vetëdijësimin të kancerit të gjirit. Kam një mesazh, dua të inkurajoj të gjitha gratë, vajzat që të bëjnë mamografinë sa më herët, të zbulojnë ndonjë simptomë nëse kanë, zbulimi i hershëm shpëton jetë”, u shpreh shoferja e autobusit, Laura Mirena.
E Kosova tashmë është pjesë e organizatave ndërkombëtare për ndërgjegjësimin kundër kancerit të gjirit.
“Unë jam që 8 vite organizatore, jemi nga organizata ndërkombëtare që jemi një familje ku të gjitha shtetet e bëjnë këtë organizim dhe ne në Kosovë e kemi licencën, në mënyrë që me i mbledh fondet edhe me i ndihmu pacientat e kancerit të gjirit në Kosovë”, ka theksuar organizatorja.
Për ndërgjegjësim të kancerit të gjirit, më 27 shtator do të organizohet një ecje në Prishtinë, nga organizata ndërkombëtare “Race for the Cure”.






