Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ka pritur në takim Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës, Petrit Malaj.
Gjatë takimit, Guvernatori Ismaili e informoi Ambasadorin Malaj për zhvillimet kryesore në sistemin financiar të Republikës së Kosovës, stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e sektorit, si dhe aktivitetet e BQK-së në funksion të avancimit të mbikëqyrjes financiare dhe përafrimit të kornizës ligjore e rregullative me standardet e Bashkimit Evropian.
Gjithashtu e informoi lidhur me organizimin, funksionimin dhe fushëveprimin e BQK-së si institucion i pavarur kushtetues, si dhe për avancimin e kapaciteteve institucionale dhe profesionale të saj. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë të BQK-së me institucionet financiare ndërkombëtare, bankat qendrore dhe autoritetet rregullatore e mbikëqyrëse të rajonit dhe të Bashkimit Evropian. Në këtë kontekst, Guvernatori Ismaili vlerësoi lart bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve tona, me theks të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe Bankës së Shqipërisë, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të këtij bashkëpunimi, veçanërisht në fushat e mbikëqyrjes financiare, sistemeve të pagesave dhe edukimit financiar mbarëkombëtar. Ai theksoi se shkëmbimi i përvojave dhe ekspertizës ndërmjet dy bankave qendrore kontribuon në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe në avancimin e mëtejmë të sektorit financiar.
U prezantuan reformat që po ndërmerr BQK-ja për modernizimin e infrastrukturës së pagesave dhe integrimin e Kosovës në sistemet evropiane të pagesave. Në këtë kuadër, Guvernatori e njoftoi Ambasadorin për proceset që lidhen me Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), zhvillimin e sistemit të pagesave të shpejta dhe projektin TIPS Clone, të cilat synojnë pagesa më të shpejta, më të sigurta dhe më efikase për qytetarët dhe bizneset e të dy vendeve tona.
Nga ana e tij, Ambasadori Malaj e përgëzoi Guvernatorin Ismaili për punën, reformat dhe aktivitetet e ndërmarra nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës. Ai vlerësoi bashkëpunimin e mirë ndërmjet BQK-së dhe Bankës së Shqipërisë dhe shprehu mbështetjen për vazhdimin dhe intensifikimin e këtij bashkëpunimi në fusha me interes të përbashkët.
Në përfundim të takimit, palët rikonfirmuan rëndësinë e bashkëpunimit të mëtejmë institucional dhe shkëmbimit të përvojave në mbështetje të zhvillimit, modernizimit dhe integrimit të sistemeve financiare të të dyja vendeve tona.







