Një armë zjarri është konfiskuar nga Policia e Kosovës në fshatin Rekë të Kaçanikut, pas një informacioni për posedim të paautorizuar të armës.
Sipas njoftimit të Policisë, rasti është raportuar më 8 shtator 2026, rreth orës 16:20, në Stacionin Policor në Kaçanik.
Pas verifikimit të informacionit, njësitet policore, përfshirë edhe Njësitin e Hetimeve, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë kontaktuar personin e dyshuar, M.M., 42 vjeç.
Gjatë kontaktit me policinë, i dyshuari ka pranuar se posedonte një armë zjarri.
Policia më pas ka konfiskuar një pistoletë, së bashku me një fishek që ndodhej në karikator.
I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor për intervistim, ndërsa për rastin është konsultuar edhe prokurori i shtetit.
Me urdhër të prokurorit, është iniciuar rast për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.
Pas përfundimit të procedurave, i dyshuari është liruar dhe rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt./teve1.info/







