Aksion përpara EULEX-it, kërkohet lirimi i katërshes së UÇK-së
Kjo pankartë u vendos këtë të martë para zyreve të Eulexit në Prishtinë.
E përmes saj, po kërkohej që ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë, të shpallen të pafajshëm.
Është ky aksioni simbolik që u organizua nga “Liria ky emër”, tetë ditë para shpalljes së aktgjykimit.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe vajza e dëshmorit Fatmir Fazliu, Flaka, e cila bëri thirrje për drejtësi.
“Në emër të Kosovës ju shpalleni të pafajshëm. Kjo pankartë nuk është vetëm një kërkesë, është një porosi, paralajmërim demokratik që Kosova nuk do të heshtë ndaj asnjë përpjekjeje që shtrembëron historinë e saj dhe vendos luftën e saj çlirimtare në bankën e të akuzuarve”, tha Flaka Fazliu.
Sipas Fazliut, në Hagë nuk janë vetëm katër të akuzuar, por sipas saj, pas tyre qëndron historia e një populli.
“Nënat që kujtojnë bijtë, fëmijët që janë rritur pa baballarë. Këtu para misionit të EULEX-it i drejtohemi institucioneve ndërkombëtare, mos harroni se mbi cilën sakrificë është ndërtuar kjo Republikë, mos barazoni çlirimtarin me pushtuesin. Dhe mos prisni se Kosova do të hesht”, theksoi Flaka Fazliu.
Verdikti final për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, do të shpallet të mërkurën e 16 shtatorit.






