Mbi 880 milionë euro janë paraparë për Kosovën nga Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian.
Prej tyre, 253.3 milionë euro janë grante, ndërsa 629.3 milionë euro kredi me kushte të favorshme.
Por vonesat në funksionalizimin e institucioneve, mund ta rrezikojnë përfitimin e një pjese të këtyre mjeteve.
Kjo pasi një pjesë e reformave, kërkon vendimmarrje institucionale dhe legjislative.
E situata aktuale politike në vend, sipas analistit Albinot Maloku, bën që Kosova të humb mundësi të rëndësishme financiare nga Bashkimi Evropian.
“Interesi i Bashkimit Evropian që ta fuqizojë ekonomikisht, duke e përkrahur Kosovën, vazhdon. Ne vazhdojmë të jemi i vetmi vend në të gjitha rrafshet në minus dhe i izoluar, me humbje të mëdha të donacioneve të Bashkimit Evropian që janë dedikuar për Kosovën ose që janë pjesë e Planit të Rritjes”, deklaroi Albinot Maloku.
Maloku, përgjegjësinë për gjithë këtë situatë ia atribuon klasës politike.
“Asgjë s’po i bën përshtypje klasës tonë politike, e posaçërisht subjektit me dominim në Parlamentin e Kosovës, me të gjitha humbjet që po i përjetojmë, humbje ekonomike, diplomatike dhe të sferave të tjera”, vlerësoi Maloku.
Se kriza institucionale do të ketë efekt negativ në ekonominë e vendit, e thonë edhe ekonomistët.
“Fatkeqësisht, këto veprime ekonomike jo vetëm në fondet e BE-së, por ndikojnë edhe në ekonominë e vendit. Kemi një vendimmarrje të ngadalshme, të pakontrolluar prej Kuvendit të Kosovës dhe kjo reflekton në mosefikasitetin e aparatit shtetëror. Kjo ka një kosto ekonomike dhe pasoja afatgjata”, deklaroi Fidan Qerimi.
Deri më tani, Kosova tashmë ka pranuar 61.8 milionë euro në formë parafinancimi, që përbëjnë 7 për qind të shumës totale të paraparë nga Plani i Rritjes.
Pjesa tjetër e mjeteve mbetet e kushtëzuar me përmbushjen e reformave dhe kritereve të përcaktuara nga Bashkimi Evropian.






