Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit F.D., – shtetas i Shqipërisë dhe E.D., shtetas i Kosovës për veprat penale: “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “Mbajtja në pronësi ose kontroll i paautorizuar i armës”.
Sipas kërkesës së parashtruar nga Prokuroria, ekziston dyshimi i bazuar se më datë 02.09.2026, në kuadër të veprimeve hetimore të ndërmarra nga Policia e Kosovës – Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) –Ferizaj, lidhur me dyshimin për veprimtari të kundërligjshme me substanca narkotike, gjatë kontrollit të shtëpisë së të pandehurit F.D., në Ferizaj, janë gjetur dhe konfiskuar si prova materiale: katër kavanoza qelqi me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë prej 4929 gram, substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, me peshë 4.6 gram, një peshore digjitale, foli transparente për paketim, qese të zbrazëta transparente, një pistoletë me gaz me një karikator, pesë fishekë, para të gatshme në euro dhe lekë, veturë e llojit “Passat” me targa të Shqipërisë dhe çelësi i saj, si dhe telefona, kartela SIM dhe sende të tjera materiale.
Ndërsa, tek i pandehurit E.D. gjatë kontrollit të bodrumit të një banese në rrugën “Beteja e Koshares” në Ferizaj është gjetur dhe konfiskuar sasi prej 566 gram substancë e dyshuar narkotike të llojit marihuanë, si dhe është konfiskuar edhe një kavanoz me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë 21.7 gram, sasi të tjera të së njëjtës substancë me peshë 0.49 gram dhe 0.2 gram, dy telefona celularë, kartelë bankare dhe para të gatshme.
Andaj me këto veprime për të pandehurit ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 i KPRK-së, si dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi ose kontroll i paautorizuar i armës” nga neni 366 paragrafi 1 i KPRK-së.




