Ministri për Evropën dhe Punë të Jashtme i Shqipërisë, Ferid Hoxha ka zhvilluar takim me përfaqësuesin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.
Ai në këtë takim ka thënë se dialogu duhet orientuar në rezultate konkrete dhe të prekshme që do të mundësonte një normalizim të shpejt të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Hoxha në një postim në X ka thënë se në takimin që u zhvillua në kuadër të Forumit në Bled ka theksuar se dialogu dhe bashkëpunimi janë ndër shtyllat për stabilitet në rajon.
“Me Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së, z. Sørensen, theksova rëndësinë e një dialogu të qëndrueshëm, të orientuar drejt rezultateve konkrete dhe të prekshme, për të avancuar më shpejt drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si një kontribut thelbësor për paqen dhe stabilitetin në rajon. Dialogu, ndërlidhja dhe bashkëpunimi janë tre shtylla të një rajoni më të qëndrueshëm, më të integruar dhe evropian”, ka shkruar Hoxha.




