1 shtatori nuk do t’i gjejë në punë Komunat e Kosovës.
Pasi do të jenë në sheshin “Skënderbej” në Prishtinë.
Të njëjtit po paralajmërojnë protestë.
Kjo për t’i kundërshtuar ndërhyrjet e nivelit qendror në kompetencat e komunave.
Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Aliu, tha se protesta do të jetë paqësore, jopartiake dhe me karakter institucional.
“Komunat nuk janë duke kërkuar privilegje, komunat edhe nga motoja që po e shihni, po kërkojnë atë që u takon qytetarëve të Republikës, që përfaqësohen përmes kryetarëve të komunave në nivel komunal. Pra, kërkojmë që të zbatohen ligjet, kërkojmë që të mos ndërhyhet në kompetencat e kryetarëve, respektivisht të komunave të Republikës së Kosovës, si dhe të kenë trajtim të drejtë dhe institucional”, tha Aliu.
Aliu tha se komunat prej një kohe të gjatë po përballen me obligime financiare të krijuara nga niveli qendror.
“Çështja e parë, pra, ka të bëjë me financat, respektivisht me pasojat financiare që kanë derivuar nga kontrata kolektive dhe ju e dini që tashmë është shkuar shuma deri në 360 milionë euro që praktikisht u kanë marrë buxheteve të komunave të Republikës së Kosovës”, u shpreh ai.
Agim Aliu, njëherësh edhe kryetar i Ferizajt, theksoi se protesta e 1 shtatorit është vetëm hapi i parë në rast se Qeveria nuk reflekton ndaj kërkesave të komunave duke përmendur mungesën e komunikimit institucional si një nga pengesat në punën e komunave.
“E para, duhet ta keni parasysh që ne ka dy vite që nuk e kemi takuar kryeministrin, në cilësi të ndryshme, qoftë si kryeministër, qoftë si kryeministër në detyrë të Republikës së Kosovës, zotin Albin Kurti. Dhe kjo tregon qartazi atë se sa është pengesë në punën dhe angazhimet e komunave, moskrijimi i institucioneve dhe paqëndrueshmëria e institucioneve”, tha Aliu.
Ndërsa, nuk njoftoi për mospjesëmarrjen e ndonjë komune në këtë protestë.
“Deri më sot, kur po e mbajmë këtë konferencë shtypi, ne nuk kemi pasur asnjë deklaratë zyrtare që të mos ketë pjesëmarrje në protestën që ne e kemi paralajmëruar për 1 shtator, ora 11:00 në sheshin Skënderbej. Ka mundur të ketë postime publike përmes rrjeteve sociale, por ne, si Asociacion i Komunave të Republikës së Kosovës, nuk na është adresuar asnjë prej kryetarëve të komunave”, u shpreh Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës
Protesta e 1 shtatorit do të filloj në orën 11:00 në sheshin “Skënderbej”, ndërsa sipas Asociacionit pritet të marrin pjesë kryetarët e komunave, kabinetet e tyre, drejtorët, kuvendarët dhe pjesëtarë të administratës.






