Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka refuzuar kërkesat për tërheqjen e dorëheqjeve dhe rikthimin në sistemin gjyqësor të gjyqtarëve dhe stafit administrativ serb në veri të Kosovës, të cilët kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022.
Ky vendim është përshëndetur nga ushtruesja e detyrës së presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu.
“Përshëndes propozimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për lirimin nga detyra të gjyqtarëve serbë që kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022. Në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore, sapo Këshilli Gjyqësor i Kosovës t’i dërgojë propozimet, do të ndërrmarë veprime për lirim nga detyra të tyre”, ka shkruar Albulena Haxhiu në “Facebook”.
Në mbledhjen e sotme të KGJK-së, me 9 vota për, një kundër dhe një abstenim, u refuzua kërkesa për kthimin e gjyqtarëve dhe stafit serb.
Kryesuesi i KGJK, Rrustem Thaqi abstenoi, kurse anëtarja e këtij mekanizmi të drejtësisë, Ivana Milenkoviq votoi kundër.
Emrat e të dorëhequrve do të dërgohen te ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu për lirim nga detyra.







