Eksperti i sigurisë, Avni Islami ka reaguar pas ngritjes së aktakuzës ndaj Fatmir Shehollit, duke thënë se rasti duhet të shërbejë si mesazh për të gjithë ata që, sipas tij, punojnë kundër interesave të Republikës së Kosovës.
Islami në reagimin e tij në rrjetin social “Facebook”, ka komentuar pretendimet e paraqitura në aktakuzë, duke u ndalur veçanërisht te dokumenti i quajtur “Top Secret 2”, për të cilin thuhet se është gjetur në telefonin e të akuzuarit.
Postimi pa ndërhyrje i Avni Islamit në Facebook:
Që nga arrestimi i të dyshuarit për spiunazh, Fatmir Sheholli, kanë qarkulluar versione të ndryshme.
Megjithatë, një gjë tashmë është e qartë: aktiviteti i tij operativ dhe analitik, i nisur që nga koha kur ishte pjesë e ish-UDB-së, nuk ka rreshtur asnjëherë.
Një profesionist i rryer dhe i kalibrit të lartë në fushën e spiunazhit nuk shkëputet lehtë nga betimi për të ruajtur sekretet dhe për t’i shërbyer një rrjeti të caktuar.
Depërtimi i tij në institucionet më të larta nuk është i rastësishëm; kamuflimi përmes miqësive me figura të larta shtetërore, paraqitja në shumicën e mediave për tema të ndieshme , dëshmon qartë synimin e tij për të fituar besim dhe për të shmangur dyshimet.
Dokumenti “Top Secret 2” në lexim të aktakuzës zbulon një plan strategjik të fshehtë. Ky program synon zgjerimin e radikalizmit islamik në Kosovë e rajon, duke implikuar figura me ndikim nga sporti, muzika, mediat dhe politika. Bazuar në aktakuzën ndaj Fatmir Shehollit, bëhet fjalë për një plan veprimi që synon destabilizimin e Republikës së Kosovës, duke e paraqitur atë si një vatër ekstremizmi dhe duke dëmtuar rëndë pozitën e saj ndërkombëtare. Përmes nxitjes së aktiviteteve fetare dhe ndikimit te klerikët, synohet krijimi i një narrative negative, stimulimi i migrimit dhe ndryshimi i qëndrimit të vendeve perëndimore ndaj Kosovës.
Përveç kësaj, ky plan shtrihet edhe në spiunazhin ekonomik dhe diskreditimin e figurave politike e intelektuale. Agjendat e Serbisë janë të njohura: qëllimi i saj mbetet goditja e Kosovës në shumë dimensione, krijimi i një opinioni publik negativ dhe zbehja e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve vendase.
Zbardhja e dokumenteve sekrete dëshmojnë se institucionet e sigurisë janë në krye të detyrës. Ky rast duhet të shërbejë si një mesazh i qartë dhe i prerë për të gjithë: askush nuk mund të fshihet pas miqësive apo pozicioneve të larta.
Kushdo që merr guximin të punojë kundër Republikës së Kosovës, kushdo që bëhet pjesë e agjendave destabilizuese të Serbisë apo rrjeteve të spiunazhit, do të ketë të njëjtin fat. Prokuroria Speciale, nën udhëheqjen e prokurorëve profesionistë si Bekim Kodraliu, në sinkronizim dhe kordinim të plotë me AKI-në dhe Policinë e Kosovës, do të shkatërrojë çdo rrjet tradhtie.
Koha e pandëshkueshmërisë ka mbaruar; secili që punon kundër shtetit tonë do ta marrë dënimin e merituar dhe do të përfundojë në burg!.




