Politologu Albinot Maloku ka vlerësuar se takimet ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për çështjen e presidentit do të përfundojnë pa ndonjë marrëveshje.
Madje ai ka thënë se Kurti e Abdixhiku kanë rënduar situatën me rrethanat e krijuara duke dhënë shpresë për një marrëveshje.
Sipas tij, edhe nëse ka një marrëveshje do të jenë kundër kushteteuese
“Këto takime do të jenë të pafrytshme për Republikën e Kosovës, përveçse tandemi Kurti-Abdixhiku i kanë rënduar Republikës së Kosovës me këto rrethana që kanë krijuar duke menduar se ka një lloj shprese, nuk besoj aspak, nuk jam optimist, nuk i shoh në frymë pozitive këto takime, sa i shohë në frymën e rëndesës që i kanë bë Republikës së Kosovës. Çdo gjë që i sjellin, i sjellin në një rend anti-kushtetues në Republikën e Kosovës”, ka thënë ai në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Maloku duke komentuar deklaratën e kryeministrit në detyrë se nuk ka shkelje kushtetuese për moskonstituimin e Kuvendit,ka thënë se Kurti është i vetmi që e mendon këtë.
Por, ai ka kritikuar edhe qasjen e LDK-së dhe kryetarit të saj, Lumir Abdixhiku, duke thënë se kthimi në rendin kushtetues do duhej të ishte çështja më e rëndësishme.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti pas takimit të së mërkurës tha se bisedimet do të vazhdojnë, duke bërë të ditur se përherë të parë kanë diskutuar për emra të përveçëm për presidentin.
Ndërsa, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku tha se procesi i diskutimeve për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të Kosovës ka hyrë në një fazë më konkrete.
Abdixhiku deklaroi se, pas dakordimit për parimet mbi të cilat duhet të bazohet zgjedhja e presidentit të ardhshëm, palët kanë diskutuar edhe për emra konkretë.







