Llapi dhe Gjilani përballen sot në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, në kuadër të xhiros së dytë të Superligës së Kosovës. Ndeshja zhvillohet nga ora 16:30.
Të dy skuadrat vijnë në këtë përballje me rezultate të ndryshme nga xhiroja hapëse.
Llapi pësoi humbje spektakolare 5:3 në udhëtim ndaj Dritës. Skuadra e Podujevës shënoi tri herë, por problemet në repartin defensiv i kushtuan pikët në Gjilan.
Në anën tjetër, Gjilani e nisi kampionatin në mënyrën më të mirë të mundshme. “Skifterat” triumfuan 3:1 në udhëtim ndaj Feronikelit ’74, duke marrë tri pikët e para dhe duke krijuar një start pozitiv të sezonit.
Për Llapin, kjo ndeshje është mundësi për reagim pas humbjes në xhiron e parë, ndërsa Gjilani synon ta vazhdojë serinë e fitoreve dhe të mbetet në pjesën e epërme të tabelës.
Prandaj, sfida e sotme në “Zahir Pajaziti” pritet të sjellë rivalitet të fortë, me Llapin në kërkim të pikëve të para dhe Gjilanin që kërkon fitoren e dytë radhazi.











